Kritika ndaj Projektligjit për Këshillin Prokurorial, përplasen pozita dhe opozita në Kuvend

Aktuale

Kritika ndaj Projektligjit për Këshillin Prokurorial, përplasen pozita dhe opozita në Kuvend

Më: 7 prill 2022 Në ora: 16:02 Përditësuar në ora: 18:54 më 07.04.2022
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi brenda ditës miraton edhe në lexim të dytë Projektligjin zyrtarët publikë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar edhe në lexim të dytë Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për zyrtarët publikë.

Ky projektligj, i cili u përkrah edhe nga partitë opozitare, ka për qëllim ndryshimin e nenit 22 të Ligjit për Zyrtarët publikë dhe i jep mundësinë personelit akademik të universiteteve publike të vijojnë me procedurat për marrjen e gradave akademike edhe pasi zgjidhen deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Paraprakisht, deputetët gjatë ditës miratuan në lexim të parë këtë projektligj, i cili nuk ka asnjë kosto financiare.

Në seancën e sotme, deputetët miratuan edhe Projektligjin për procedurën përmbarimore.

Ndërsa dy pikat e tjera të rendit të ditës, zgjedhja e një anëtari të Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb dhe formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave nga radhët e komunitetit shqiptar, kanë mbetur të shqyrtohen për javën e ardhshme.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka mbyllur punimet e kësaj seance. 

S’ka kuorum për miratimin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial

Kuvendi i Kosovës s’ka pasur kuorum sot për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Këshillin Prokurorial.

Vetëm 57 deputetë votuan pro, ndërkohë deputetët opozitarë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u përmbajtën nga votimi.

Rrjedhimisht për miratimin e tij do të tentohet në seancën e radhës. 

Beqa – Haxhiut: Punoni si ministe e mos iu përzi KPK-së

Në Kuvendin e Kosovës është duke u debatuar edhe çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit, për çka pati zhgënjim nga ndërkombëtarët.

Deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa i ka thënë ministres Albulena Haxhiu që që të mos përzihet në punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

‘’Ju ka mbet merak me e kapë edhe kryeprokurroin edhe për këtë keni bo deklarata dhe nuk mendoj që i bëni nder as reformës në drejtësi kur përziheni. Përkundrazi, edhe këtë drejtësi që e kemi jemi tu e rrënu në emër të ckapjes. Tu mendu që po bëni zgjidhje, po bëni komplikim’’, ka thënë ai.

’Punoni si ministe e mos iu përzi KPK’së’’.

​PDK dhe LDK adresojnë kritika ndaj Projektligjit për Këshillin Prokurorial

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë adresuar një varg kritikash ndaj Projektligjit për Këshillin Prokurorial.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ky projektligj siguron prezencë më të fuqishme të politikës në vendimmarrjen e Këshillit Prokurorial.

Tahiri: Ky Projektligj siguron prezencën e fuqishme të politikës në Këshillit Prokurorial

“Ky projektligj veç një gjë siguron, prezencën e fuqishme të politikës në vendimmarrje në Këshillin Prokurorial. Pse po e them këtë, po e argumentojmë me fakte, neni 6 i këtij projektligji ndryshon përbërjen e Këshillit Prokurorial nga 13 anëtarë sa kanë qenë deri më tani, 10 prej tyre të propozuar nga prokuroritë dhe tre të tjerë të votuar në Kuvend dhe tash kemi zvogëlimin e tyre në shtatë. Në rregull, do të pajtohemi që të jenë shtatë, mirëpo zvogëlimi duhet të jetë proporcional dhe këtë rast, jo katër anëtarë t’i kemi nga Këshilli dhe tre të tjera nga jashtë. Akoma më keq, të kaluarën kur kemi zgjedh dy anëtarë në Kuvendin e Kosovës, njërin e kemi pas nga oda e avokatëve dhe tjetrin nga Fakulteti Juridik. Tash e keni lënë një zyrtari me pesë vjet përvojë pune të konkurrojë dhe me qenë pjesë e Këshillit Prokurorial. Kjo është vërtet degraduese”, tha ai.

Më i ashpër ishte deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se ky draf-projektligj është ndër dokumentet më jo profesionale.

Selmanaj: Ky draft është ndër dokumentet më jo profesionale

“Ky draft që na ka ardhur neve përpara është ndër dokumentet më jo profesionale të shkruara ndonjëherë, më jo logjike dhe më kontradiktore në dispozitë prej dispozite... Kush i ka shkruar këto ose lidhje s’ka me drejtësinë ose është i shkencave të bujqësisë ndoshta, jo i kësaj fushe”, thekson ai.

Mirëpo akuzave të tyre iu kundërpërgjigj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu: S’ka politizim përmes këtij projektligji

“Kuvendi i Kosovës zgjedh gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, a është ky politizim? Jo pra nuk është politizim. Unë konsideroj se Gjykata Kushtetuese si institucion është edhe më i rëndësishme... Kuvendi nuk ka mundur që t’i zgjedh as përfaqësuesin nga Oda e Avokatëve dhe as përfaqësuesin nga shoqëria civile. Prandaj ne kemi konsideruar se nuk duhet t’i lihet institucioneve e drejta për të propozuara, duke ditur se për vite me radhë kanë pasur të drejtën dhe nuk e kanë shfrytëzuar”, tha ajo.

Përplasen Haxhiu e Tahiri/ “Sa të jem unë ministre e Drejtësisë kurrë jo”

Një debat në Kuvend mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri doli në temën e noterëve. Haxhiu i tha Tahirit se nuk do t’i bëjë kurrë noterë ata të cilët dëshiron Tahiri.

Në mesin e diskutimeve për ndryshimet në ligjin për Këshillin Prokurorial, Haxhiu tha se nuk po e kuptonte shqetësimin e Tahirit.

“Nuk po e kuptoj shqetësimin që ke Z. Tahiri. Tash unë jam e shqetësuar sepse gjendja në sistemin e Drejtësisë nuk është e mirë, por çka ke ti që shqetësohesh, nuk po mund ta kuptoj fare”, tha ajo.

“Ndoshta edhe mund ta kuptoj, por më mirë s’po e them”, shtoi Hazxhiu.

Pasi Tahiri tha se ajo po dëshiron ta shtrijë dorën e politikës në KPK, Haxhiu tha se fakti që Gjermania, SHBA-ja dhe BE-ja kanë reaguar për kundër procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit, është “mjaftueshëm për të kuptuar se në çfarë gjendje jemi”.

Ajo ia përmendi Tahirit procesin e rekrutimit të noterëve, për të cilin ky i fundit tha se ka vepruar mirë.

“Kjo e tregon nivelin e paaftësisë tënde… Po lej ato se s’janë në rend dite”, tha Tahiri.

Atij iu përgjigj ministrja me ton pak më të lartë.

“Sa i përket noterisë, as mendja mos të shkon që ka me t’i bë noterë qata që ti po mendon e qata që ti i ke ndërhy me i vlerësu më së larti me pijkë. Jo Abelard Tahiri, sa të jem unë ministre e Drejtësisë kurrë jo”.

“Ku ka kështu”, Selmanaj për reformën në sistemin prokurorial: Vendimmarrjen do ta kenë politikanët

Askund në botë nuk ka praktika të tilla, siç ka propozuar Qeveria funksionimin e Këshillit Prokurorial me ndryshimet e propozuara në ligjin për këtë institucion, tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në Kuvend.

Në debatin për këtë çështje, Selmanaj tha se “fillimisht drafti ka qenë që me pasë gisht politika”, dhe më pas, ai ka parë “kamuflim”.

“Procesin e vendimmarrjes në KPK e kanë krejtësisht laikët dhe joprokuorët”, tha Selmanaj, duke dashur treguar se si sipas tij, KPK do të politizohej.

“Jo që është kundërkushtetuese, por kjo është kundër çdo logjike të mundshme”, tha ai duke folur për Projektligjin.

Selmanaj pyeti se “ku ka kështu”.

“Kush janë këta jolaikë që i zgjedh Kuvendi dhe që mund të bllokojnë çdo proces në KPK?”, tha ai.

​Haxhiu: Këshilli Prokurorial do të ketë përbërje të re

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Këshillin Prokurorial.

Ajo para deputetëve ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, Këshilli Prokurorial do të ketë përbërje të re.

Haxhiu: Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe jo prokurorë. Por proporcioni, apo dallimi në numra në mes anëtarëve prokurorë dhe atyre jo prokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetua, Kuvendi sipas këtij plotësim-ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë jo prokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një anëtari nga Avokati i Popullit në konsultim me organizatat e shoqërisë civile... Anëtarët e Këshillit aktual me rekomandimin e komisionit të Venecias do të hedhin shortin dhe tre nga nëntë prej tyre do të mbesin në kryerjen e mandatit që kanë, ndërsa pjesa tjetër do të kthehen në detyrat që i kanë si prokuror”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu adresoi kritika ndaj përbërjes aktuale të Këshillin Prokurorial, për të cilin tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

Haxhiu: Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit

“Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit, por edhe politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se përkundër skandaleve që kemi parë publikisht nuk janë ndërmarrë veprime serioze për adresimin e tyre”, theksoi ajo.

Haxhiu theksoi se për këtë projektligj kanë marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Miratohet Projektligji për zyrtarët publikë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot në lexim të parë Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për zyrtarët publikë.

I njëjti ka qëllim ndryshimin e nenit 22 që i jep mundësinë personelit akademik të universiteteve publike të vijojnë me procedurat për marrjen e gradave akademike edhe pasi zgjidhen deputetë.

Paraprakisht deputetët miratuan shmangie të afateve të parapara nga rregullorja e Kuvendit për miratimin e këtij projektligji.

Ndryshe, projektligji është iniciuar nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila dhe është përkrahur edhe nga disa deputetë të partive opozitare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat