Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar edhe në lexim të dytë Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Ky projektligj, i cili u përkrah edhe nga partitë opozitare, ka për qëllim ndryshimin e nenit 22 të Ligjit për Zyrtarët publikë dhe i jep mundësinë personelit akademik të universiteteve publike të vijojnë me procedurat për marrjen e gradave akademike edhe pasi zgjidhen deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Paraprakisht, deputetët gjatë ditës miratuan në lexim të parë këtë projektligj, i cili nuk ka asnjë kosto financiare.
Në seancën e sotme, deputetët miratuan edhe Projektligjin për procedurën përmbarimore.
Ndërsa dy pikat e tjera të rendit të ditës, zgjedhja e një anëtari të Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb dhe formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave nga radhët e komunitetit shqiptar, kanë mbetur të shqyrtohen për javën e ardhshme.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka mbyllur punimet e kësaj seance.