Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, Sherif Makolli, ka folur për ndërprerjen e kongresit për zgjedhjen e kryetarit të FSSHK-së.
Ai ka theksuar se e gjithë përleshja që ndodhi sot aty është shkaktuar nga kryetari aktual i kësaj federate, Blerim Syla.
“Nuk e kemi imagjinuar se do të ndodhë një situatë e tillë aq e keqe, aq e shëmtuar. Syla nuk i pati votat e mjaftueshme për të fituar, ai ishte përgatitur për ta dëmtuar kongresin. Që nga fillimi kur filloi ta marrë fjalën e tij përshëndetëse, Blerim Syla filloi me aludimet e tij se nuk duhet të zhvillohet kongresi, për shkak se, sipas tij, kryetari i Këshillit Drejtues, Lajçi, nuk është kompetent, pasi ai është në pensionim. Sipas statutit të kongresit, Lajçi ka të drejtë ta mbajë mandatin e tij”.
“Ato kanë qenë aludime, ai e kishte përgatitur ekipin e vet, disa njerëz që mund t’i quaj huliganë, që përdorën fjalor kërcënues, shantazhues e kështu me radhë. Kryetarit të Këshillit Drejtues të Kongresit nuk iu dha mundësia që ta marrë situatën në dorë. Kjo filloi që në pikën e parë të rendit të ditës”.
“Mandej, njerëzit e Sylës filluan të dalin të kërcënojnë, me fjalor shumë të ulët, me fjalor fyes, që nuk është i nivelit të stafit shëndetësor, kjo me të vërtetë është për keqardhje”, ka thënë Makolli.
Makolli ka thënë se kryetari i Këshillit Drejtues, Lajçi, kishte kërkuar ndërprerjen e mbajtjes së kongresit për një periudhë, duke shtuar se pas kësaj pauze sërish filluan përplasjet.
“Situata u qetësua dhe filluam me votimin e pikës së parë të rendit të ditës. Kur e pa Blerim Syla sa anëtarë dhe delegatë janë pro me pikat e rendit të ditës, ai e pa se nuk e ka situatën në dorë, sërish filluan shantazhet dhe fyerjet. Ai e ka humbur garën dhe si justifikim për ta shkatërruar kongresin ndodhën këto veprime. Kandidatja tjetër, Feride Imeri, vetëm zgjidhej kryetare e re me ato vota, Blerim Syla me ekipin e tij kur e pa pikën e parë të rendit të ditës, që po e humbiste garën, menjëherë deshën ta ndalin kongresin”, ka thënë Makolli.
Ai ka shtuar se ky kongres do të ripërsëritet edhe njëherë në muajt në vazhdim.