Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, i ka radhitur, sipas tij, tri sukseset e Vjosa Osmanit, tani kur është bërë një vit që kur ajo është në krye të detyrës së të parës së shtetit.
Si pikë të parë ai theksoi pandeminë, duke deklaruar që presidentja që në fillim ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në diplomacinë e vaksinave dhe se si rezultat i angazhimit, sidomos në komunikimet që i kanë pasur me ShBA-të dhe shtetet tjera, kanë arritur të sigurojnë sasi të konsiderueshme të vaksinave që janë përdorur për vaksinimin e qytetarëve.
Pika e dytë, sipas Velës, është tregimi i suksesshëm i lidershipit ndërkombëtar, i cili theksoi se është njohur po ashtu nga presidenti amerikan Biden me rastin e krizës në Afganistan, ku Kosova ka qenë një ndër shtetet e para që ka pranuar të jetë pjesë e procesit të mirëpritjes së refugjatëve afganë.
“Ky ka qenë një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar, i cili është realizuar në mënyrë të suksesshme nga institucionet e Republikës së Kosovës. Pra Kosova a treguar lidership në nivel global”, tha Vela.
Suksesi i tretë i veçuar nga shefi i stafit të presidentes radhitet pika që “me ardhjen e Osmanit në detyrë, janë hapur shumë dyer që deri në atë kohë, siç tha, për shkak të qasjes jashtëzakonisht pasive në politikën e jashtme, ato dyer janë hapur dhe me këtë edhe mundësitë e reja për ndërtim të raporteve qoftë me shtetet njohëse dhe ato jonjohëse”.
Në Rubikon, Vela po ashtu vlerësoi se qeveria paraprake në detyrë s’ka arritur t’i konkludojë kontratat për furnizim me vaksina, dhe se kur Osmani e kishte marr mandatin e plotë s’ka pasur në tavolinë një kontratë, qoftë të qeverise ose të presidencës që i siguronte vaksinat për qytetarët.
“Pastaj ne e kemi kuptuar në komunikim me shtetet mike që ka pasur oferta të ndryshme, qoftë nga kompania Moderna apo të tjerat, por që janë refuzuar nga qeveria paraprake. Dhe me ardhjen e qeverisë së re me 22 mars dhe të presidentes me 4 prill është dashur nga fillimi që të bëhen përpjekjet dhe të arrihen këto kontrata, të cilat janë arritur, dhe tani Kosova fatmirësisht ka vaksina të mjaftueshme”, deklaroi Blerim Vela.