Sindikalistët paralajmërojnë greva të përgjithshme
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura te Kosovës (BSPK) kanë protestuar sot para objektit të Qeverisë së Kosovës. Ata kërkuan shtesat prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga, zbatimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore si dhe ndryshim e Ligjit për Skemat Sociale. Në të kundërtën paralajmëruan ekzekutivin se do të marrin masa më radikale, deri tek greva e përgjithshme.
Pikë takimi i qindra punëtorëve mesditën e së premtes u bë oborri i Bibliotekës Kombëtare, ku u marshua drejt Qeverisë së Kosovës. Në mesin e protestuesve, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli tha se qeveria duhet të punojë bashkërisht me sindikatat për të gjetur një zgjidhje.
Hykolli: Të gjejmë një zgjidhje bashkërisht me qeverinë
“Partnerit tonë social, qeverisë i mbetet barra, po nuk e mori vendimin e duhur për përmbushjen e kërkesave tona, duke mos lënë rrugë tjetër sindikatave por vetëm rrugën e grevës, e cila është padëshiruar për sindikatat. Mjeti i fundit për të shprehur pakënaqësinë sindikale dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të punësuarve të Kosovës. Nga këtu e thërrasim qeverinë që t’i japin arsyes dhe të pranojë dhe marrë seriozisht kërkesat tona, duke na pranuar në dialogun social dhe bashkërisht të gjejmë zgjidhje”, tha ai.
Grevë prej datës 20 prill paralajmëroi udhëheqësi i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj: Punëtorët e arsimit nga 20 prilli do të jenë në greva
“Këta punëtorët e arsimit nga çerdhet deri në universitet nga 20 prilli do t’i shohësh edhe në një veprim tjetër në grevë. Populli le ta di se fajtori i vetëm është kryeministri dhe qeveria e tij. Edhe në të ardhmen do të jemi këtu, edhe të ardhmen do të jemi në shkolla por nuk do të ketë mësim”, theksoi ai.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mos vendimmarrje.
Lluminca: Ngritja e çmimeve ka ndodhur për fajin tuaj kryeministër
“Ngritja e pagave për të gjithë të punësuarit në Kosovë sepse ngritja e çmimeve ka ndodhur për mos punën tuaj kryeministër, për mos punën e kabinetit tuaj, parlamentit të Kosovës. Hidhni sytë nga punëtori, pasi nëse nuk orientoheni nga punëtorët, atëherë nuk do të jeni në parlament”, theksoi Lluminca.
Këto kërkesa, kryetari i sindikatës së pavarur të administratës Ali Gashi, tha se duhet të merren parasysh.
Gashi: Kryeministër hapi dyert dhe dëgjo zërin
“Kryeministër hapi dyert, dëgjo zërin, kërkesat e punëtorëve dhe priti sindikatat, pasi ne nuk jemi armiq, por partnerë”, deklaroi ai.
Qeveria e Kosovës nuk miratoi Projektligjin për paga, ani pse kishte paralajmëruar se i njëjti do të dërgohej në Kuvend deri në fund të muajit mars.