Pas dy votimeve të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një herë për rezolutën që dënoi agresionin rus në Ukrainë dhe të dytën herë për përjashtimin e Federatës Ruse nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ish-diplomati Lulzim Peci ka thënë se është krijuar një situatë e re që duhet të shfrytëzohet nga Kosova.
Peci, në një shënim në Facebook ka deklaruar se një numër i vendeve që kishin tërhequr njohjet e Kosovës si rezultat i ndikimit rus, po tërhiqen nga përkrahja për Kremlinin.
“Një numër i vendeve që i kanë ngrirë apo tërhequr njohjet e Kosovës, dhe atë me ndikim direkt të Rusisë, janë duke e tërhequr përkrahjen e tyre për Kremlinin, dhe kjo po shihet sidomos nga dy votimet e fundit të Asamblese Gjenerale të Kombeve të Bashkuara në lidhje me agresionin rus në Ukrainë”, ka shkruar Peci.
Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet të shfrytëzojë raastin për të rivendosur kontaktet me shtetet që hyjnë në këtë mes, për t’i rikthyer njohjet e humbura.
“Kishte me qenë mirë që MPJ e Kosovës të shfrytëzojë këtë rast që të rivendos kontaktet me këto shtete dhe t’i rikthejë pra këto njohje të humbura”, ka shkruar Peci.