Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi priti sot në takim ministrin e Zyrës së Kabinetit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Michael Ellis, ku u diskutua mbi potencialin zhvillimor të Kosovës.
Ministri Ellis u shpreh se mosha mesatare e re e popullsisë në Kosovë është indikator i jetëgjatësisë dhe vazhdimësisë së progresit të arritur deri më tani.
Ellis tha se sundimi i ligjit duhet të bazohet në një sistem të drejtësisë me integritet dhe profesionalizëm, si dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në nismat e ndërmarra me qëllim të funksionimit dhe zbatimit të ligjit.
Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi maksimalisht angazhimin dhe ndihmën e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar. Partneriteti i veçantë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar forcohet dita ditës dhe sjellë bashkëpunim solid në fusha e sfera të ndryshme. Rritja ekonomike për vitin 2021 me 10.5%, si dhe avancimi me 17 vende në indeksin e Transparency International në luftën antikorrupsion, duke qenë të parët në rajon, janë tregues të progresit të Kosovës.
Sipas një komunikate të Qeverisë, Bislimi e informoi ministrin rreth zhvillimeve në sistemin e drejtësisë, energjisë, si dhe punëve e projekteve konkrete.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ministrin Ellis për vizitën dhe afirmoi komunikimin e vazhdueshëm për bashkëpunimin e frytshëm mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.