​Gjykata pezulloi tarifat e reja të energjisë, PDK kërkon respektimin e vendimit

Aktuale

​Gjykata pezulloi tarifat e reja të energjisë, PDK kërkon respektimin e vendimit

Më: 9 prill 2022 Në ora: 13:06
Deputetët e PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media, publikuan vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në të cilën është marrë vendim për pezullimin e aplikimit të tarifave të reja të energjisë elektrike, të cilat kanë filluar së aplikuar më 9 shkurt të këtij viti.

Kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, i kërkoi ZRrE-së që të zbatojë vendimin e gjykatës, njëjtë edhe kryeministrit Kurti, presidentes Osmani dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat tha se kanë qenë të angazhuar në shtrenjtim të energjisë përmes komenteve të tyre.

Tahiri: Vendimi i ZRrE-së i dëmshëm 

“Partia Demokratike e Kosovës, përmes një ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka arritur të pezullojë vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike në 100%. Kemi thënë dhe kemi punuar në vazhdimësi që ta kundërshtojmë këtë vendim të paligjshëm. Këtë vendim i cili ka qenë në shpërputhje të plotë me bazën ligjore në të cilën është marrë. Ky vendim i cili ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm për çdo familje në Republikën e Kosovës. Shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke qenë edhe diskriminues edhe në baza etnike e territoriale, ka qenë i patejkalueshëm dhe gjykata ka bërë mirë që ka marrë një vendim në favor të interesit publik”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se në vendim ceket që i njëjti cenon interesin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe dëmton rëndë familjet dhe ekonomitë familjare në vendin tonë. Ai u shpreh se askujt nuk duhet ti shkojë në mendje që të mos e zbatojë këtë vendim, pasi përben shkelje penale.

Tahiri: Nuk guxon të mos respektohet vendimi 

“Ata njerëz të cilët mendojnë që mund të mos zbatojnë këtë vendim të gjykatës, ata do të përballen me vepër penale dhe padyshim që një vepër e tillë penale shkakton pasoja jashtëzakonisht të mëdha pikërisht për anëtarët e bordit të cilët normalisht mund të përfundojnë edhe në burg. Kjo nuk është dëshirë, nëse duan apo nuk duan, ata obligohen që ta zbatojnë këtë vendim”, vijoi Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se koha dëshmoi që si parti kanë vepruar mirë kur kanë zgjedhur të kundërshtojnë vendimin për shtrenjtimin e energjisë përmes rrugëve ligjore dhe jo duke protestuar në rrugë.

Tahiri: Koha e dëshmoi që ndoqëm hapat e duhur 

“Koha dëshmoi që kemi ndjekur hapat e duhur që ky vendim të anulohet. Ne jemi kritikuar shumë që nuk kemi pjesë në protesta, që nuk e kemi kundërshtuar me mjete të dhunshme, por koha na dha të drejtë që ky vendim do të duhej të sfidohej me mjete ligjore dhe këtë e arritëm”, vijoi Tahiri.

Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala, që njëherit është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, deklaroi se tashmë ka motive shtesë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të nxjerrë në shesh të vërtetën.

Shala: Vendimi i gjykatës motiv shtesë për komisionin hetimor 

“Sot është hapi i parë juridik drejt ndërprerjes së një procesi të paligjshëm dhe diskriminues në sektorin e energjisë dhe vënien në binarë normal të një akti të paligjshëm që tashmë qytetarët po e paguajnë. Ne e kemi ngritur këtë shqetësim ne GP në vazhdimësi dhe sot po rikonfirmohet domosdoshmëria e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar të cilën mazhoranca prej ditësh po e zvarrit, vendimi i sotëm i gjykatës është një konfirmim shtesë dhe një motiv shtesë juridik për nevojën urgjente të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar të cilin tashmë e kemi bërë kërkesën bashkë me 40 nënshkrime në mënyrë që e vërteta dhe paligjshmëria dhe pabarazia në këtë sektor të dalë në shesh”, u shpreh Shala.

Ndërsa, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, deklaroi se me vendimin e gjykatës kanë triumfuar qytetarët të cilët janë mashtruar me shpresat e rreme të mbjella nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. Ai e quajti ekzekutivin si të paaftë për të zgjidhur problemet e vendit.

Stavileci: Kosova më shumë po prodhon e shet se sa po importon energji

“Kur gjykata ka dhënë vendimin, për ironi të fatit të kësaj qeverie, jokompetente dhe të paaftë për zgjidhjen e problemeve, Kosova më shumë po prodhon e shet, se sa po importon energji e për ironi edhe më të madhe, kushtet klimatike janë përmirësuar dhe rrjedhimisht nevoja për konsum të energjisë është zvogëluar, andaj nuk ekziston asnjë arsye e vetme që të mos zbatohet vendimi i gjykatës, i cili mbi të gjitha është vendim i drejtë për qytetarët e vendit tonë”, deklaroi Stavileci.

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se në rast ankese ndaj këtij vendimi, janë të gatshëm që të shpalosin argumentet e tyre edhe në shkallën e dytë. 

Pezullimi i aplikimit të tarifave të reja sipas vendimit të ZRrE-së, që ka hyrë në fuqi më 9 shkurt, do të zgjasë deri në vendimin finale për këtë çështje nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat