Eksperti amerikan: Vuçiq tani do të ketë vështirë të mbajë ekuilibrin Perëndim-Putin, kjo është frika e Daçiqit

Aktuale

Eksperti amerikan: Vuçiq tani do të ketë vështirë të mbajë ekuilibrin Perëndim-Putin, kjo është frika e Daçiqit

Më: 9 prill 2022 Në ora: 21:57
Edward Joseph

Eksperti i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, profesori Edward Joseph ia ka kushtuar edhe një shkrim situatës politike aktuale në Serbi, qëndrimin të saj për pushtimin rus të Ukrainës dhe çështjen e Kosovës.

Joseph në Twitter ka shkruar se Vuçiq tani do të ketë vështirë të mbajë ekuilibrin midis qëndrimeve pro-perëndimore dhe atyre pro-Putin.

“Me zgjedhjet serbe të përfunduara dhe zemërimin për mizoritë ruse në Ukrainë, si do të vazhdojë Aleksandër Vuçiq ‘ekulibrin’ e tij pro-Putin? Përgjigje: Ruani qetësinë (edhe pse nuk jeni) dhe vazhdoni të votoni për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Moska dhe Pekini – vendosin kufirin ndaj sanksioneve.”, shkruan Joseph.

Sipas Joseph, modeli të cilin po e ndjek Aleksandër Vuçiq dhe Serbia është i qartë. Ata po votojnë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe kjo nuk po e hidhëron fare Putinin.

Joseph me tutje shton se Serbia do të nënshkruajë marrëveshje për gazin me Moskën, pavarësisht zotimit që presidenti serb Aleksandër Vuçiq e kishte bërë në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në shtator të vitit 2020 në marrëveshjen me Kosovën të nënshkruar edhe nga ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Madje, sipas Joseph, Serbia dhe Rusia do të nënshkruajnë një marrëveshje dhjetëvjeçare për gazin.

“Modeli është i qartë: Beogradi ka votuar për të tre rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër Rusisë, pa një vështrim nga Moska. Putin uroi Vuçiqin dhe foli me presidentin serb për “zhvillimin e partneritetit strategjik ruso-serb” dhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike. Putin dhe Vuçiq biseduan për gazin, pasi kontrata e Serbisë me Gazprom përfundon muajin e ardhshëm. Ndryshe nga angazhimi i Shtëpisë së Bardhë i Vuçiqit për vitin 2020, për të diversifikuar furnizimet me energji, Beogradi ka dyfishuar gazin rus. Drejtori i Srbijagas parashikon negociata të shpejta dhe një marrëveshje dhjetëvjeçare.”, shkruan Joseph.

Eksperti i Ballkanit gjithashtu shton se as Pekini nuk është i hidhëruar me Beogradin për aq sa këta të fundit nuk vendosin sanksione ndaj Rusisë.

“Ashtu si Moska, Pekini gjithashtu sinjalizon se është mirë me votat e Beogradit në OKB për sa kohë që “Serbia nuk i bashkohet sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së kundër Rusisë”, sipas të ngarkuarit me punë në në ambasadën e Kinës në Beograd. Zyrtari kinez elaboroi të gjitha rreziqet e sanksioneve për Serbinë.”, shprehet Joseph.

Gjithashtu ai i ka komentuar pretendimet e çmendura të presidentit serb Aleksandër Vuçiq se një avion luftarak i NATO-s iu afrua një fluturimi komercial të Air Serbia si pjesë e presionit perëndimor ndaj Serbisë.

Joseph përmend edhe faktin se si votuesit e Vuçiqit për arsye se ky i fundit po e mban ekuilibrin midis perëndimit dhe Rusisë, kanë votuar alternativa edhe më pro-ruse sesa ajo e Vuçiq, duke shtuar se ky i fundit tani duhet të negociojë seriozisht me Ivica Daçiq.

“Votat në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk e ndryshojnë qëndrimin e Beogradit për luftën ose NATO-n. Të enjtën Vuçiq pretendoi se një “avion luftarak i NATO-s” iu afrua një fluturimi komercial të Air Serbia për në Moskë, edhe më absurde, ai e lidhi incidentin me presionin perëndimor mbi qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë. As me votat në Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara nuk e ndryshojnë prirjen e mediave kryesisht pro-ruse mbi luftën. Për hidhërimin e Vuçiq, votuesit serbë u përplasën me rusofilinë dhe ua dorëzuan disa vota parlamentare alternativave edhe më pro-ruse. Tani Vuçiq duhet të negociojë seriozisht me njerëz si Ivica Daçiq.”, tha Joseph.

Ai ka komentuar edhe figurën e Ivica Daçiq, që nijhet ndryshe edhe si një nga politikanët serb më pro-rus dhe njeri i afërt i presidentit rus Vladimir Putin duke thënë se Daçiq pretendon që Pekini dhe Moska e bllokojnë Kosovën në OKB si favor ndaj Beogradit, gjë që sipas Joseph nuk është e vërtetë.

“Daçiq pretendon (në mënyrë absurde) se aplikimi i sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë do të nënkuptojë humbjen e mbështetjes së Moskës mbi Kosovën. Në realitet, Moska dhe Pekini bllokojnë Kosovën për interesat e tyre, jo si favor ndaj Beogradit.”, shkruan Joseph.

Krejt në fund, ai thotë se: “Për momentin, Vuçiq duket se mendon se sharada e tij e ‘balancimit’ midis BE-së dhe Rusisë është e qëndrueshme, për sa kohë që ai mund të zëvendësojë votat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për sanksionet ndaj Rusisë. A ka të drejtë?”.

Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është ndër liderët e paktë në botë pro-rus dhe pro-Putin. Pas rezultatit të zgjedhjeve në Serbi, duket se Vuçiqi pro-rus do të duhet të negociojë edhe me një tjetër politikan serb i cili është më pro-rus se ai vet, Ivica Daçiq. Të dy së bashku i takojnë idesë politike të Slobodan Millosheviqit, kriminelit serb që udhëhoqi krimet më të rënda ndaj popujve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe shqiptarëve të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat