Probleme me ujësjellës, transport, shkollë, ambulancë, markete, mungesë të punësimit, ndotje e ajrit e zhurmë nga KEK-u, janë disa nga problemet që përballen banorët e fshatit Hade të Obiliqit, tash e disa vite. Ata ankohen për procesin e zhvendosjes së tyre dhe ofertës për t’ia marrë shtëpitë e tokat.
Banorët e këtij fshati thonë se askush nuk është marrë seriozisht me shpronësimin e pronave të tyre, problem ky që nuk i lejon edhe të zhvillohen. Megjithatë, shpresat i kanë të Qeveria Kurti.
Nazmie Preniqi, banore e fshatit Hade, derisa sa flet për kushtet e vështira në me të cilat po jetojnë, thotë se kanë shpresuar në secilën Qeveri por se asnjëra s’ka bërë zgjidhje.
Preniqi: As në puna nuk na kanë marrë
“Ma keq nuk di qysh. Qe 23-vjet shkoj lufta e neve, na kanë lanë shumë keq. Shumë keq e ka lanë këtë rini pa punë...As s’na morën në puna për t’i larguar prej këtu, koha jonë shkoj...Qe 23-vjet unë jetime kam rrit në këtë vend dhe kështu nuk kemi heq...Edhe me këto parti, secilën t’u mbajt shpresa se po bëhet diçka me Albin Kurtin po mbajmë shpresa... Asgjë s’na ka ofruar komuna, gjithë duke i votuar, duke prit. Unë vet si nënë kam shkuar qe pesë herë për djalë me më shti në punë.. As që iu ka interesuar asnjë partie. N ‘mal me qenë bile ajri më i pastër, këtu tërë ditën zhurma.. Verës na ndalin edhe ujin se s’po ka.... Jemi zhgënjyer me ta, s’po dimë çka me thanë, na kanë hup edhe fjalët, gjithë t’u pritë që 23-vjet..Këtu na kanë harru krejt”, tha ajo.
Besnik Grajqevci, banor i këtij fshati ka thënë se ky problem i ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë dhe se me shpronësimin e pronave të tyre nuk është marrë askush.
Grajqevci: Nuk është marrë me shpronësimin tonë askush
“Sa i përket çështjes problematike të zhvendosjes të fshatit Hade, ne si banorë që jemi këtu, kjo është një problem ndër vite që na ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë dhe na ka varfëruar, na ka lënë pa u zhvillur si familje, ku e kemi pas të ndaluar të ndërtojmë si zonë e interesit dhe nuk është marrë me shpronësimin tonë askush dhe nuk na është bërë asnjë zgjedhje”, tha ai
Imer Preniqi, banor tjetër i këtij fshati, ka thënë se nuk ka mbet asgjë në këtë fshat. Ndërsa sa i përket nënshkrimit për zhvendosje, thotë se nuk ua plotësojnë kushtet që ata si banorë po i kërkojnë.
Preniqi: Nuk po i nënshkruajmë sepse nuk po i plotësojnë kushtet
“Toka po na merret, pasuria e të gjitha, me na largu jo, jemi mbet keq. Në shkollë jo, ambulante jo, ma keq nuk di qysh, markete s’kemi, veç këto mure. Mirëpo shpresojmë që Qeveria e re, po na ndihmon diçka, se tokat tash na kanë thënë me na marrë, e ne nuk jemi duke i nënshkruar njëherë... Nuk po i nënshkruajmë sepse nuk po i plotësojnë kushtet.. Me qenë që na largojnë prej këtu, qysh janë largu të tjerët, veç na kemi mbet... Tokat nuk i kemi nënshkruar, janë shkuar dhe kanë largu shpija. E gjitha shkon me intervenime... Ne tokat njëherë nuk i lëshojmë, pa hy në puna, bile djemtë, tokën nuk e lëshojmë... Me pas dikë në Qeveri, dhjetë i kisha punësuar, me pas dikë në Toskane i kisha punësuar pesë, me pas dikë në komunë i kisha punësuar tre, askënd se kem, veç i kërkojnë të vetit ka i kanë”, tha ai.
Valton Preniqi ka thënë se presin prej Qeverisë zhvendosjen e gjithë fshatit, pasi që kanë mbet vetëm një pjesë e vogël. Ai po ashtu ka theksuar që iu është bërë padrejtësi në zhvendosje.
Preniqi: Prej Qeverisë presim zhvendosje komplet të fshatit
“Kërkesë nuk kem diçka konkrete, përveç atyre që i kërkojnë pjesët e tokave në anën tjetër, neve nuk na konvenon ajo pjesë me dhënë, sepse i kemi dhënë 3-4 herë pjesët duke na rrejt, lëshona kësaj radhe, iu largojmë edhe me shtëpia, ne si fshatarë, të gjithë janë në dijeni që njeriu në fshat jeton prej tokës... As nuk kemi autobus, shkolla u mbyll, as makete, ndërsa, ambulante e çerdhet as nuk vinë në shprehje asnjë, kështu që këtu kushtet për jetesë janë minimale, secili që ka dëshirë me dalë, ose me dërguar një fëmijë në shkollë, me shkuar në punë ose diçka tjetër, duhet me mjete të veta se përndryshe nuk mundesh me lëvize... Prej Qeverisë presim zhvendosje komplet të fshatit, ne edhe ashtu kemi mbet një pjesë e vogël... Kanë zhvendos pjesën tjetër, veç për përfitime personale kanë pas qeveritarët, parlamentarët, biznesmenë, kanë ndërtuar shtëpia në mes të arave, i kanë paguar të gjitha dhe s’kanë qenë shtëpia por pallate 7-8 katesh, e kanë zhvendos një zonë ku nuk ka as thëngjill, e dinë ata shumë mirë. Tash në atë pjesë nuk po munden me hy, se s’ka çka të shfrytëzojë atje, tash janë kthyer në këtë pjesën këtu prej tokave dhe po na bëjnë presion çdo ditë në telefon, zyrtarët e KEK-ut, që s’keni qare pa e lëshuar, kemi me iu paditur. Ne në pronat tona jemi, nuk e kemi në mendje t’i lëshojmë... Këtu na pengon edhe zhurma e KEK-ut, zakonisht në mbrëmje dëgjohet më shumë, sidomos verës nëse e lë hapur ndonjë dritare, nuk mundesh me pushu prej zhurmës, pluhuri është gjithashtu aktual”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhefer Gashi, ka deklaruar se kanë zhvendosur një pjesë të fshatit Hade dhe se pjesa tjetër është në proces.
Gashi: Aktualisht proceset janë duke u zhvilluar
“Ne në vazhdimësi kemi zhvendos në pjesën e Hadës, Shipitull, Sibovcit. Aktualisht proceset janë duke u zhvilluar. Fatmirësisht ne kemi biseduar edhe me ministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun dhe jemi në koordinim bashkë me Qeverinë që të bëjmë zgjedhjen më të mirë për qytetarët që jetojnë atje”, theksoi Gashi.
Ai po ashtu ka thënë se të gjithë banorët që do të zhvendosen, do të kenë mundësi të ndërtojnë në lagjen e re të Hadës ose të marrin kompensime.
Gashi: Të gjithë ata që do të zhvendosen në faza do të kenë mundësi të gjejnë vend atje
“Një lagje e re që e quajmë ne lagjja e re e Hades, dhe atje janë zonat e parcializume. Të gjithë ata që do të zhvendosen në faza, do të kenë mundësi të gjejnë vend atje, ata që dëshirojnë të ndërtojnë, kurse pjesa tjetër do ta marrin kompensimin, sikurse deri më tani nga KEK-u, dhe duke u bazuar në kornizën për zhvendosje... Atje ka vazhdimisht zhvendosje dhe varësisht prej lëvizjeve të KEK-ut, në bazë të planeve dinamike që ata i kanë, edhe zhvendoset”, tha ai.
Kp ka tentuar të flas edhe me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, mirëpo që këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.