Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka dhënë detaje për fëmijën që u goditë me veturë këtë të diele nga ministrja Rozeta Hajdari.
Ai ka thënë se fëmija ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe më pas është dërguar për në shtëpi.
“Ka marrë trajtimin e nevojshëm tek ne dhe është lëshu në shtëpi”, tha shkurtimisht ai.
Ndërkohë, që sot edhe Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e shkaktuar nga ministrja.
Në raportin 24 orësh, policia i referohet Hajdarit si “e dyshuara femër kosovare” e cila përderisa ishte duke drejtuar veturën, ka goditur viktimën mashkull kosovar.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet tutje në raport.
Kurse, dje sipas një raporti të publikuar në media arsyeja e aksidentit të shkaktuar është “mos-përshtatja e shpejtësisë sipas kushteve të rrugës”.
“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *****. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me **** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin zyrtar të PK-së.
Shefja e Ministrisë së Industrisë, Rozeta Hajdari, në një postim në Facebook, të dielën në mbrëmje ka shkruar se shkaku aksidentit ishte “përplasja papritmas” e një fëmije në veturën e saj.
Ajo, në një postim në Facebook, tha se një fëmijë u përplas “papritmas anash veturës” të cilën ajo po e ngiste.
“Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, ka shkruar ajo ndër të tjera.