Analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi ka reaguar në lidhje me vizitën e ambasadorit serb, Marko Gjuriq në Shtëpinë e Bardhë dhe takimin e tij me presidentin amerikan, Joe Biden.
Fillimisht, ai tha se janë të trupshme të gjitha reagimet e Prishtinës dhe lartësimi i takimit të ambasadorit serb më shumë se vetë Serbia.
Bekteshi përmendi edhe disa nga shkaqet që kanë ndikuar në takimin e Gjuriqit me Bidenin.
Krahas kësaj, analisti nga Amerika përmendi edhe arsyet se pse Kurti nuk ka marrë ftesë nga Shtëpia e Bardhë deri më tani.
“Këmbëngulësia e opozitës dhe disa mediumeve se pse kryeministri Kurti nuk shkon në Amerikë është qesharake, sepse për të shkuar në SHBA duhet të kesh ftesë, dhe Shtëpia e Bardhe nuk është një han të hysh e të dalësh kur të duash, posaçërisht në kohë pandemie dhe tani në kohë lufte në Ukrainë gjatë invazionit rus. Ne dëshirojmë që të jemi gjithmonë në fokus të Amerikës, por kjo s’mund të ndodh derisa Amerika i ka edhe 1 milion punë të tjera”, shkroi Ramazan Bekteshi, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Paradokset tona dhe sindromi për Shtëpi të Bardhë
Vizita e ambasadorit serb Marko Djuriq në Shtëpi të Bardhë erdhi si një shpërthim ‘vullkani’ prej kashte në Prishtinë, një shpërthim i turpshëm që lartësoi takimin e amb. serb më shumë se vetë Serbia. Lind pyetja, pse iu gëzuan aq fort vizitës së Gjuriq në Zyrën Ovale disa opozitarë e media, disa analistë, duke lavdëruar lobimin serb dhe duke sharë qeverinë Kurti, por pa dhënë argumente të qëndrueshme, por duke shfryrë emocione dëshpëruese për humbje të pushtetit.
Ftesa në Shtëpi të Bardhë e ambasadorit serb në Uashington, që me deklaratat e tij njihet si një armik i Amerikës, mund të jetë bërë për shume shkaqe. Një ndër arsyet mund të jetë vota befasuese e fundit serbe në OKB për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, dhe reagimi i menjëhershëm i Amb. Hill në Beograd, duke e quajtur amb. serb një mik i SHBA-ve edhe pse dëshmitë flasin ndryshe.
Një arsye tjetër mund të jetë edhe akreditimi i vonuar në DC i të gjitha ambasadorëve të ri për shkak pandemisë, dhe një arsye tjetër mund të jetë jubileu i marrëdhënieve diplomatike në mes dy shteteve, "Është kënaqësi të shoh ambasadorin e shkëlqyer të vendit mik në Shtëpinë e Bardhë së bashku me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Kjo është një shenjë e rëndësisë së partneritetit që kemi ndarë me Serbinë për më shumë se 140 vjet" ‘cicëroi’ ambasadori Hill dhe kështu arsyet nuk përfundojnë.
Ne këto momente krize botërore, krize energjie, pandemie, Qeveria Kurti në mënyrë epike përballet me sfidat, dhe u qëndron në mënyrë stoike, u qëndron me guxim provokimeve serbo-ruse në veri të vendit duke vënë ligj dhe rend, që qeveritë e shkuara as që kanë pas kurajë të mendojnë e lere më të veprojnë.
Qeveria e re i ka shpall luftë të pamëshirshme krimit të organizuar, ryshfetit në të gjitha hallkat e sistemit, dhe dëshmi janë arrestimet e përditshme, dëshmi është përpjekja e reduktimit të listës së veteranëve të rrejshëm që pamëshirshëm ia thithin buxhetin shtetit muaj pas muaj, tani me vite, për çudi edhe në këtë përpjekje dikush mundohet ta pengojë.
Shpallja e luftës ndaj eksponentëve të krimit të Listës Serbe të komanduar nga Beogradi, si në Shtërpcë ashtu edhe në Veri, moslejimi i referendumin serb ne tokën Dardane, moslejimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë, por duke kërkuar te respektohen ligjet e vendit, e kjo i bie era shtet, edhe paraqitja e Qeverisë Kurtit dhe e Presidentes në arenën ndërkombëtare, në çdo forum ku paraqiten lëne përshtypje të jashtëzakonshme , por, edhe atëherë opozita jonë rënkon vajtueshëm.
Kur Qeverisë Kurti i duhet ndihma e mëmëdheut nëpër kriza që përballet me Serbinë dhe kërcënimet e saja të vazhdueshme, Rama jo vetëm se hesht, ashtu si heshti kur ambasadori rus erdhi afër kufirit të Kosovës derisa MiG-ët provokonin paqen, heshti derisa Kroacia dhe vende tjera e përkrahnin idenë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, heshti kur në Luginë u penguan të votojnë mbi 6000 votues., hesht tani kur Serbia blen armë nga Kina por edhe Turqia kundër nesh.
Por, Rama nuk hesht kur është në pyetje vëllai i tij Vuçiq, por e lavdëron, ia promovon Ballkanin e tij të Hapur, një projekt serbo-rus me çdo kusht, e fton Vuciqin në Shqipëri më shpesh se kryeministrin e Kosovës, e lavdëron votën serbe në OKB, dhe sa më shume që e sulmon Vuçiq Kosovën, aq më shumë Rama e lëvdon Vuçiqin dhe Serbinë, derisa opozita kosovare, një nga një marshojnë drejtë Tiranës që të takohen me krye-kapon e krimit, Eskobarin e Tiranës, Ramën, edhe pse ky i fundit mundohet ta përkrah Serbinë pareshtur, por ky akt tradhtie sikur nuk i bënë përshtypje opozitës në Prishtinë.
Këmbëngulësia e opozitës dhe disa mediumeve se pse kryeministri Kurti nuk shkon në Amerikë është qesharake, sepse për të shkuar në SHBA duhet të kesh ftesë, dhe Shtëpia e Bardhe nuk është një han të hysh e të dalësh kur të duash, posaçërisht në kohë pandemie dhe tani në kohë lufte në Ukrainë gjatë invazionit rus. Ne dëshirojmë që të jemi gjithmonë në fokus të Amerikës, por kjo s’mund të ndodh derisa Amerika i ka edhe 1 milion punë të tjera. Derisa jemi në mes të pritjes dhe shpresës, ne po ashtu duhet të mësohemi që të veprojmë të bashkuar kur është ne pyetje interesi nacional, dhe e kurrsesi mos të veprojmë si gjatë kohës së grusht shtetit dhe marrjes së pushtetit me hile me ndihmën e Grenell-it, një miku të përbetuar serb.
Sigurisht se ka vend edhe për kritika ndaj qeverisë kur janë qëllimmira, dhe mungesa e ftesës nuk është arsyetim për mosardhje në Amerike, sepse lobimi është pjese qenësore e politikes dhe ai s’është më si që do të dëshironim. Edhe dështimi i Organizatës më të re dhe me jetëshkurtër shqiptaro-amerikane, Kongresi Pan-shqiptaro-amerikan (Pan-Albanian-American Congress, PAAC), është një lajm i keq. Potenciali i komunitetit tone është enorm dhe asnjë qeveri e Kosovës pas pavarësisë nuk është marr seriozisht as me komunitetin e as me lobimin e mirëfilltë.
Angazhimi i aktivistëve shqiptaro-amerikan që janë më të verifikuar dhe dëshmuar në organizata të ndryshme, si dhe pionierja e lobimit LQSHA që (Tirana dhe Prishtina) i kanë shumë borxh, pse jo dhe angazhim i firmave efektive lobuese në DC. Dhe për fund, dy shtetet tona nuk duhet të lëne në harresë as Vedat Gashin, kandidat demokrat që garon për Kongres në Distriktin e 16-të, në shtetin e Nju Jorkut, me gjasa reale për fitore, e që do të plotësonte vakumin e mikut tonë të madh, Eliot Engel.
Derisa Serbia ka karta shtesë për të luajtur lojën e saj të ndytë edhe në DC, si ato të votimeve/sanksioneve, kartat e lojës mes perëndimit, Rusisë e Kinës, kartat e armatimit e tjera, derisa Kosovës si ka mbete asnjë kartë rezervë, të gjitha i kanë djegur qeveritë e kaluara turpshëm derisa tagrin duhet ta paguaj qeveria e tashme edhe për gabimet e tyre.