​Inaugurohet Këshilli për Demokraci, Osmani: Është garancia për angazhim dhe përmbushje të zotimeve

Aktuale

​Inaugurohet Këshilli për Demokraci, Osmani: Është garancia për angazhim dhe përmbushje të zotimeve

Më: 12 prill 2022 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 11:06 më 12.04.2022
Vjosa Osmani

Inaugurohet Këshilli për Demokraci, Osmani: Është garancia për angazhim dhe përmbushje të zotimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka inauguruar Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.

Në një tryezë me gjithë krerët e institucioneve kyçe për vendin, Osmani tha se ky këshill ka për qëllim angazhimin dhe bashkërendimin institucional për fuqizim të demokracisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Krahas kësaj, tha se ky këshill paraqet angazhimin e institucioneve në luftimin e korrupsionit, mbrojtjen nga autoritarizmi dhe avancimin e të drejtave të njeriut.

“Kosova do të fuqizojë demokracinë dhe do të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj. Demokracia është vlerë e shoqërisë sonë dhe është rrënjosur thellë. Ky Këshill është garancia për angazhimin dhe bashkërendimin institucional dhe përmbushje të zotimeve të samitit për demokraci nga presidenti Biden”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca tha se agresioni rus në Ukrainë dëshmon se demokracia nuk qëndron vet, por nevojitet aleanca me demokracitë tjera.

“Siç po dëshmojnë ngjarjet e sotme dhe agresioni rus në Ukrainë, demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojitet aleanca me demokracitë tjera, siç po e shohim edhe në botë, se autokratët janë të lidhur me njëri-tjetrin”, theksoi ai.

E kryeministri Albin Kurti, tha se në një vit qeverisje kanë shënuar progres në fushën antikorrupsion dhe fuqizim të të drejtave të njeriut.

“Në fushën e mbrojtjes ndaj autoritarizmit kemi vendosur sanksione ndaj federatës ruse”, tha ai. 

Sot mbahet takimi inaugurues i Këshillit për Demokraci e të Drejta të Njeriut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar takimin inaugurues të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Takimi pritet të mbahet duke filluar nga ora 10:00.

Në kuadër të edicionit të parë të Samitit për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, institucionet e Kosovës kanë marrë një sërë zotimesh drejt avancimit të demokracisë në Kosovë.

Përmes këtyre zotimeve, institucionet e vendit janë angazhuar për luftim të korrupsionit, mbrojtje nga autoritarizmi dhe avancim të të drejtave të njeriut.

Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut është formuar nga presidentja Osmani dhe ka rolin e mekanizmit përgjegjës për udhëheqjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat