A janë shqiptarët të gatshëm ta durojnë një supremaci të re serbe në Ballkan, më saktë ndaj tyre kudo, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni apo edhe në Mal të Zi?!
Fatkeqësisht kjo supremaci nuk është gdhendur vetëm nga relacionet Rusi-Serbi dhe Putin-Vuçiq. Ajo po vazhdon të skalitet edhe nga ndihma e drejtpërdrejtë që po e merr prej Shqipërisë.
‘Ballkani i hapur’ drejt vdekjes
Projekti “Ballkani i hapur”, po zbardhet ngadalë si një sherr i madh serbo-rus. Këtë në një mënyrë ia bëri të qartë Edi Ramës, kancelari gjerman Olaf Shulc. Ai i tha prerazi se “Procesi i Berlinit”, do të rivitalizohet, duke paralajmëruar eklipsimin e “Ballkanit të hapur”.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/12/auto_Sholc-Rama1649756666.jpg)
Derisa Edi Rama, për më shumë se një vit u mundua shqiptarëve t’ua shes “Ballkanin e hapur”, si vazhdim apo si i njëjti zhvillim me “Procesin e Berlinit”, kancelari gjerman, e injoroi tërësisht pretendimin e Ramës, për ta treguar si të njëjtë apo të ngjashëm me projektin gjerman, të filluar nga kancelarja Angela Merkel.
Rama po në këtë takim me gazetar në Berlin, e mori edhe njëherë në mbrojte presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, dhe Serbinë, se armët e blera nga Kina, të transportuar gjatë tri ditëve me aeroplan special lufte, nuk paraqesin rrezik.
Sipas Ramës, Serbia nuk i ka blerë armët kundër nesh? Po nëse nuk i ka blerë kundër shqiptarëve, me kë do të luftojë Vuçiqi dhe Serbia (me mullinjtë e erës të Don Kishotit), me sistemet më të avancuara raketore me rreze të mesme veprimi, për të goditur edhe Athinën e lë më Tiranën!?
“Nuk jam i shqetësuar për armatimin e Serbisë. Nuk shoh arsye për tu shqetësuar sot për sot... Nuk shoh se si një sistem mbrojtje nga raketat mund të jetë shqetësues për ne?” u shpreh Rama në Berlin, tamam sikur të ishte duke e lexuar një letër propagande të dërguar nga Vuçiqi (Serbia), dhe në pamundësi të pranisë së tij, ishte ‘bedeli’ i tij, i cili e afirmoi qëndrimin mashtrues të Serbisë, dy vota të parëndësishme në OKB, për të maskuar blerjen masive të armatimit për luftë rajonale.
Ndaleni Vuçiqin dhe Ramën...!
Këto blerje të armatimit të Serbisë nga Kina, kanë nxitur reagime të ndryshme, me thirrjet për ta ndaluar Beogradin.
Martin Henze është shprehur i shqetësuar me përpjekjet e Vuçiqit për të sunduar Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, derisa diktatori Putin, po përpiqet të bëhet sundimtar i Europës, e aleati i tij serb, Vuçiqi don të bëhet i Ballkanit, dhe atë sipas modelit të liderit të çeçenëve Kadirov, që është në krye të pushtetit kuisling rus.
“Putin dëshiron të sundojë Evropën, Vuçiq do të bëhet Kadyrovi i Ballkanit”, shkruan Henze në tviter.
Por, ai nuk është vetëm. Në ndihmë të tij do të jenë edhe dy politikan nga Shqipëria, me ndikim të madh në pushtet kryeministri Edi Rama dhe Erion Veliaj, kryetar i Tiranës, dhe nënkryetar i PS-së. Një aleat tjetër i autokratit Vuçiq është lideri i serbëve të Bosnjës, figura më e korruptuar dhe e inkriminuar, Milorad Dodik, që sapo është futur në Listën e zezë të SHBA-ve, dhe po ashtu edhe të Britanisë së Madhe.
“Në Ballkan, ndihmës të tij do të jenë Rama, Veliaj në Shqipëri dhe Milorad Dodik nga Bosnja”, shkruan ai.
Eksperti europian, pasi e parashikon një situatë të tillë eklipsuese, bën thirrje për ta penguar zhvillimin e këtij skenari fatkob për shqiptarët.
“Kjo duhet të parandalohet. Rusia thotë se lufta në Ukrainë synon t'i japë fund kërkimit të SHBA-së për 'dominim botëror'”, thotë Henze, duke e kujtuar kështu edhe ligjërimin e rrejshëm rus, kundër Perëndimit, për të justifikuar përpjekjet për pushtimin e Ukrainës dhe krimet e luftës që po i bën ushtria ruse atje.
Purgatori për elitën e Ramës dhe Thaçit
Për fat, dje mori një goditje të dyfishtë një pjesë e këtij grupi kriminal, që po përpiqet për interesa të Serbisë, t’i ndryshojë kufijtë në Ballkan.
Kështu përveç SHBA-së, që goditi dy figurat e Bosnjës, Milorad Dodikun dhe Zeljka Cvijanovic, ata u goditën edhe nga Britania e Madhe.
Në arsyetimin e kësaj të fundit, ata u sanksionuan për shkak të përpjekjeve të destabilizimit të Ballkanit, të marrëveshjes së Dejtonit, dhe të vetë rendit botëror.
Por, sipas analistit shqiptar në Britani, Emanuel Bajrës, kjo goditje do të vazhdojë, në drejtim të atyre grupeve në Prishtinë dhe Tiranë, që u përpoqën dhe nuk u ndalën ta ndajnë Kosovën. Kështu edhe për ata, po vjen Purgatori – vendi i pritjes për të marrë ndëshkimin e merituar (sipas librave të shenjtë).
“Prishja e rendit botërorë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan ka disa lokacione, në mes tjerash - Beogradin dhe disa entitete në Tiranë e Prishtinë të cilët kanë inkurajuar, promotuar dhe argumentuar në mënyrë konsistente për ndarjen e Kosovës. Edhe këtyre entiteteve gradualisht po u afrohet dita e purgatorit!”, shkruan Bajra.
Në Tiranë Rama e mbolli idenë për ndarje të Kosovës, ndërsa në Kosovë Hashim Thaçi, e krijoi një dyzinë mbështetësish, që ende bëjnë thirrje të atillë, sa herë u jepet rasti.
Ndërsa, ministrja e jashtme e Britanisë Liz Trus, thekson se Dodiku, anëtari presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Cvijanoviçi, presidenti i Republikës Serbe, po minojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë.
“Të nxitur nga Putin-i, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me këto sanksione të ashpra po tregojmë se armiqtë e paqes do të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar dje Trus.