Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar sot masat e reja për mbështetjen e të gjithë pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat dhe publik, si dhe studentët me nga 100 euro për muajin prill.
Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, tha se vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të pakos të cilat kanë për qëllim shtimin e mbështetjes për qytetarët. Kështu për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, pension të veteranit e kështu me radhë. Për herë të parë do të mbështesim prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat. Pra, rreth 300 mijë punonjës. E në kuadër të mbështetjes për të punësuarit do të ndajmë shumën e një hershme prej 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publik”, tha Kurti në një konferencë për media.
Mirëpo, me këtë shumë prej 100 eurove nuk po pajtohet ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti përmes një postimi në Facebook, thotë se, ky vendim i Qeverisë reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve.
Sipas tij, shuma prej 100 eurove nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve.
Hoti thotë se Qeveria duhet me ndërmarrë masa afatgjate.
Ai ndër tjera përmend edhe tërheqjene një shume të kursimeve pensionale.
Reagimi i plotë:
Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.
Duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza:
(i) Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë.
(ii) Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike.
(iii) Duhet të rriten subvencionet në bujqësi.
(iv) Duhet të rritet paga minimale
(v) Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.