Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci njoftoi se sot mori pjesë në takimin e radhës së Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, mbajtur në Athinë.
“Sot, në cilësinë anëtarit të delegacionit të Përhershëm të Kuvendit i Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore(AP e SEECP-së), mora pjesë në takimin e radhës së Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, mbajtur në Athinë. Në asamble (AP e SEECP-së) morën pjesë përfaqësuesit nga Turqia, Greqia, Rumania, Moldavia, Maqedonia Veriore, Bullgaria dhe Kroacia”, shkroi Bajqinovci në Facebook.
Ai tha se në këtë takim ka kërkuar nga vendet pjesëmarrëse njohjen e Kosovës si shtet si dhe mbështetjen e vendeve anëtare për Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO
“Gjatë këtij takimi, përfitova nga rasti, gjithashtu të kërkoj nga vendet pjesëmarrëse, anëtare të SEECP-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohjen e Kosovës si shtet si dhe mbështetjen e vendeve anëtare për Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Gjatë raportimeve të deputeteve të SEECP-së, u diskutuan dokumentet e punës draft raporti dhe draft rezoluta, me temë: “Mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grupeve të cënueshme (vulnerabël)’” , potencoi ai.
Bajqinovci tha se nuk u arrit të miratohet draft raporti dhe draft rezoluta për shkak se pala e Kosovës kundërshtoi amendamentet me përmbajtje politik të propozuara nga Serbia.
“Me keqardhje, draft raporti dhe draft rezoluta nuk u arrit të miratohen, pasiqë ne i kundërshtuam amendamentet me përmbajtje politike të propozuara nga Serbia.
Dëshiroj të theksoj, se ne jemi për bashkëpunim rajonal në terma të barabartë dhe fqinjësi të mirë. Po ashtu vendet e rajonit dhe vendet e BE-së duhet të mbështesin njëri tjetrin drejt integrimeve euro – atlantike”, përfundoi ai.