Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar sot raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022.
Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se për herë të parë RTK-ja në tremujorin e parë nuk ka punuar me humbje financiare dhe se ka pasur ulje të shpenzimeve.
Në mbledhjen e sotme komisioni ka miratuar edhe Programin e Shpenzimeve të RTK-së për periudhën prill-qershor 2022 në shumë mbi 2 milionë e 240 mijë euro.
Kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini gjatë raportimit në komision ka thënë se kanë ulur shpenzimet për periudhën janar-mars dhe ka kërkuar që gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës të ndahen mjete shtesë për RTK-në.
Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, është shtyrë për javën e ardhshme.