Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj e ka komentuar rastin e dështimit të rastit të gjykimit të ish kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa.
Miftaraj ka thënë se dështimi i këtij rasti për shkak se përgjimet kanë ndodhur pa kërkesën e Prokurorisë është skandal shkuar skandali.
Postimi i plotë:
Pse kemi një sistem prokuroria të dështuar, përgjigjen e gjeni këtu. Prokurorisë Speciale të republikës së Kosovës, ku paga e prokurorit është mbi 2500 Euro, i dështon rasti sepse përgjimet në këtë rast kane ndodhur pa kërkesën e prokurorisë për masat e fshehta te përgjimit. Kjo jo që është skandal, por skandal i shkuar skandalit.
Raporti:
Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar aktgjykim lirues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 të pandehurve tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion me tenderë në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim me operatorët ekonomik.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit.
E njëjta shtoi se zbatimi i masës së fshehtë pa kërkesë të prokurorisë, është i paligjshëm. Kurse, tha se provat e mbetura pa përgjime, nuk i formojnë elementet e veprës penale.