Për Xhavit Halitin, komunikata numër 59 e UÇK-së, ku kërkohej ekzekutimi i Gani Gecit, është punë e mbyllur.
Sipas tij, protagonistët e komunikatës i kanë zgjidhur mos-marrëveshjet me njëri-tjetrin.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se as që e ka lexuar komunikatën, për të cilën Gani Geci, prej pas-luftës është vënë në kërkim të autorit të urdhrit për ekzekutimin e tij.
Haliti tha se “ato gjëra dihen, i dinë ata mes vete”, teksa i komentoi komunikatat e lëshuara gjatë luftës nga UÇK-ja.
“As që e kam lexuar atë komunikatë. Ato gjana dihen, i dinë ata mes vete, nuk është naj problem që ka naj diçka që s’dihet. Gjithçka e dinë ata mes vete ata çka kanë ndodhur. Sigurisht, i dinë ata si ka ndodhur rasti i parë, rasti i dytë”, deklaroi ai.
Megjithatë, Haliti u shpreh se nuk e përjashton mundësinë që ndonjë anëtar i lartë i UÇK-së, mund të ketë qenë mbrapa lëshimit të komunikatave kundër të ashtuquajturve kolaboracionistë të luftës.
Por, thotë se nëse UÇK-ja ka pasur në program të saj likuidimet e njerëzve politikë, nuk do të dilte asnjëherë që të flasë në publik.
“Është krijuar një imazh i qëllimshëm kundër UÇK-së, pa arsye, pa fakte, pa argumente. Unë nuk pe përjashtoj që ka ndonjë pjesëtar të UÇK-së që ka bërë ndonjë veprim. Nëse UÇK-ja e ka pasur në program të saj, ka pasur në orientimet e saj politike dhe në urdhrat e saj me likfidu njerëz të partive, njerëz kështu, atëherë unë s’kisha dalë me folë kurrë, as s’kisha dalë në dritë të diellit kurrë, me qenë”, tha Haliti.
Haliti tha se edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, e ka demantuar Gecin, për përmbajtjen e komunikatës.
Madje, ai deklaroi se kjo punë është e mbyllur mes njerëzve apo protagonistëve të kësaj çështjeje.
“Tani, kur të thehet diçka, kur të ndodhë diçka, ka ndodhur diçka e rëndë, iu ka vra shoku njerëzve dhe mund të kenë vepru me komunikatë kanë shkruar aty kundër zotëri Gecit, por, figurativisht, personalisht, duke përfshirë edhe komandantin e atëhershëm, Sylejman Selimi dhe të tjerët, kanë demantuar që është akuzuar ose ka qenë ai nën shoqërim të forcave serbe, siç është akuzuar në të. Unë po besoj se kjo punë është e mbyllur mes njerëzve, protagonistëve të kësaj çështje”, shtoi ai.