Mbrojtja e Shalës synon që dosjen paraprake ta dorëzojë nga mesi i shtatorit
Në konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes, avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen ka thënë se mendon që nga mesi i shtatorit do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen paraprake.
Pas një pauze, avokati Jean-Louis Gilissen,ka deklaruar se është i çuditur me trysninë që po ushtrohet mbi ta sa i përket kalendarit, e po ashtu edhe dorëzimit të dosjes paraprake të mbrojtjes.
“Dosja kundër zotit Shala ka filluar para disa viteve. Gjatë gjithë këtyre viteve, ZPS ka pasur mundësi të përgatis çështjen e saj, kjo është normale. Ne merremi tani me këtë çështje prej më shumë se 1 viti, 1 viti i gjysmë dhe jam i çuditur dhe zhgënjyer që ju mendoni se nuk po punojmë me ritmet e duhura. Kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.
Tutje, tha se përballen me një numër vështirësish, së pari lidhur me nxjerrjen e materialeve nga ana e ZPS.
“Kanë pasur vështirësi dhe nuk kanë përfunduar nxjerrjen e tërë materialeve, për më tepër prokurori kërkon të shtojë dëshmitarë të ri dhe më duket sikur ju tërë trysninë po e ushtroni mbi palën tonë”, tha ai.
Sa i përket hetimeve, ai tha se gjykata e di sa e vështirë është organizimi në terren i ekipeve që të merren me çështjen e hetimeve.
“I kemi filluar hetimet, ishim në Kosovë para dy jave, ishte vizitë e frytshme dhe gjetëm një numër çështjes të çuditshme, por sikur lexoheshin informacionet e siguruara nga ZPS, krijuam ndjesi jo të mirë kundrejt disa dëshmitarëve dhe elementeve. Në terren takuam një numër njerëzish, ishim te fabrika e famshme e Kukësit dhe zbuluam gjëra interesante dhe prandaj deshëm të vijojmë hetimet edhe gjatë kohës së gjyqit”, tha ai.
Tutje, tha se ka më se 20 vite nga koha e fakteve të pretenduara dhe kjo krijon vështirësi, disa njerëz kanë ndërruar jetë, disa nga dëshmitarët e akuzës kanë vdekur.
“E njëjta gjë vlen edhe për palën mbrojtëse. Ne kur vizitojmë OVL, Qeverinë, ish- pjesëtarët e UÇK, jemi detyruar të bisedojmë me ta, ata nuk janë në gjendje të sigurojnë dokumentacione që kanë ekzistuar dikur, por nuk ekzistojnë më, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar. Ju mendoni që ne brenda një viti të mund të hartojmë dosjen paraprake”, tha ai.
I njëjti shtoi se sapo kanë marrë dosjen paraprake të ZPS-së, vetëm para disa ditëve dhe sipas tij, është problem i disiplinës në këtë çështje dhe nuk kanë gjë për të fshehur këtu.
“Ne po hetojmë disa çështje shumë çuditëse. Dëshmitarët të rëndësishëm kanë ndryshuar shpeshherë deklaratat e tyre dhe jemi të çuditur se si hetuesit nuk i kanë pyetur se përse e keni ndryshuar deklaratat kaq shpesh”, tha tutje ai.
Ai tha se gjërat kanë ndryshuar për një dëshmitar, e po ashtu edhe deklaratat e tij dhe është një problem shumë i madh.
“Si të marrim qëndrim lidhur me pranueshmërinë apo për një kaq të rëndësishme si dosja paraprake në momentin kur prokuroria ende nuk ka dorëzuar informacionin që ka në dispozicion dhe unë mendoj se ky është një qëndrim jo realist. Kur të na jepet gjithë ky dokumentacion, këto deklarata, këto elemente që prokuroria me të drejtë do t’i përdor gjatë gjyqit dakord”, tha ai.
Sipas avokatit, problemi nuk është që thjesht duhet t’ua japin, por duhet të kenë kohën për t’i lexuar e analizuar, andaj shtoi se punojnë me ritme mjaft të larta.
Jean-Louis Gilissen tha se është gabim të imagjinohet se ata do të mund të realizojnë punën e tyre pa u përballur me vështirësitë, me të cilat janë përballur palët mbrojtëse dhe gjykatësit në rastet e tjera penale.
“Ne punojmë me ritme mjaft të larta. Kjo nuk është çështja që duam të fitojmë, nuk është fare kjo çështje, nuk kemi nevojë për këtë. Kur prokurori t’i ketë nxjerrë të gjitha dokumentet dhe po i drejtohem atij nuk ka nevojë për shumë kohë. Jemi në fund të procesit sipas mendimit tim, dua të kemi mundësinë të kemi rezultatin e ekspertizës mjeko-ligjore, mundësinë për të hedhur hapat e fundit hetues. Kjo nuk është çështje muajsh. Duhet të kuptojnë të gjithë dokumentet duhen lexuar dhe rilexuar”, tha ai tutje.
Sipas tij, këtu bëhet fjalë për krime lufte dhe jo për shitje droge në rrugë dhe përballen me vështirësi të mëdha kur e dinë që Shala nuk ka qenë në Kosovë për shumë kohë.
“Duam të dimë si ka qenë situata e Shalës kur ka qenë në Kosovë më 1999. E vështirë, nuk po përmend njerëzit që kemi takuar, por dëshmitarët e prokurorisë ata të gjithë bëjnë deklarata të ndryshme në mënyra të ndryshme”, tha avokati i Shalës.
Ai shtoi se do të ishte gabim të kalonin në gjyq në këtë moment kohor dhe kanë nevojë për më shumë kohë dhe realiste do të ishte të vazhdonin të punonin gjatë majit, qershorit, korrikut dhe gushtit.
“Nuk kam asnjë synim të kërkoj për shtyrje të këtij afati. Varet nga materiali që do të marrim nga ZPS, por më lejoni se siç e kam thënë edhe më parë, jemi në fund të këtij procesi. Nëse nuk bëj ndonjë gabim, do të urreja të bëja ndonjë gabim, do të thoja që arrijmë që dokumentin që kundërshton pranueshmërinë e provave ta dorëzojmë nga fillimi i shtatorit”, tha ai.
Avokati tha se mendon që nga mesi i shtatorit do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen paraprake dhe se kjo i duket e arsyeshme.
Kurse, prokurori Felipe Deminiqes, deklaroi se shumicën e dokumenteve të çështjes së tyre i kanë nxjerrë para përfundimit të verës së 2021.
“Disa hetime për shembull një vizitë në këtë fabrikën e metalit mund të ishte më përpara. Ndryshimet e pretenduara të deklaratave të dëshmitarëve kanë qenë të njohura për palën mbrojtëse prej një kohe mjaft të gjatë. Hetimet shtesë që ZPS është detyruar të bëjë kohën e fundit dhe siç e kemi shpjeguar në parashtrimet tona kanë ndodhur për shkak të ngjarjeve të paparashikuara nuk i ndryshojnë çështjet tona, nuk shtohet fakte të reja, nuk ka ndryshuar çështja e ZPS”, tha ai.
Sa i përket, njoftimit të rregullit 102 (3), ai tha se nuk është çështje e diskutueshme pasi i përmbushin detyrimet e tyre në këtë kontest.
Ndërkaq, tha se kuptojnë nevojën që mbrojtja të analizojë të gjitha provat në çështjen e tyre, por se kjo mund të bëhet edhe gjatë gjyqit, ku ka procedura për të kundërshtuar materialet.
“Kur zoti Gilissen përshkruan vështirësitë me të cilat po ballafaqohen, janë vështirësi që përballen të gjithë që përgatisin një gjyq për ngjarje të para 23 vitesh, është një punë që bëhet në të gjitha çështjet për krime lufte”, tha prokurori.
Sipas tij, nuk e kundërshtojnë një shtyrje të arsyeshme të afatit që kërkon mbrojtja me qëllim që të paraqes çështjen e saj në mënyrë të duhur.
Nga mbrojtja u tha se dosja paraprake ka një dyzinë emrash dhe hollësisht në to, ku ka njerëz që nuk janë dëshmitarë të listës apo viktima dhe nuk ka prova e duhet hetuar.
“Nuk duhet të kufizojmë veten në dëshmitarët e paraqitur nga ZPS, duhet të analizojmë pse një person është përmendur në dosjen paraprake dhe nuk është intervistuar e s’do të vijë si dëshmitar”, tha mbrojtja.
Më pas, prokurori tha se edhe njëherë po thonë që nuk kundërshtojnë një shtyrje të arsyeshme të afatit, por emrat e dosjes paraprake nuk kanë ardhë nga asgjëja dhe ishin pjesë e materialeve që janë nxjerrë para dorëzimit të dosjes paraprake.