Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili duke ironizuar me Abelard Tahirin, tha se 100 euro mund të duken pak për ata që shpenzojnë mijëra euro në armë e fishekë.
Krasniqi, në një status në Facebook tha se populli ka nevojë për më shumë përkrahje dhe lehtësira.
Sipas saj, kushtet e jetesës së tyre nuk përmirësohen me 100 euro, e sidomos me çmimet aktuale.
“Me 100 euro nuk mund ta bleni as heshtjen e qytetarëve të zhgënjyer që çdo ditë me dhjetëra presin para ambasadave për t’u larguar nga vendi”, shkroi ajo.
Ditën e sotme, ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit, i cili tha se 100 euro për qytetarët e Kosovës, janë të pamjaftueshme.
“100 euro mund t’iu duken pak, por për qytetarët do të jenë më shumë se 1 herë, dikush e ka 1 pensionist, dikush 1 student në familje, është goxha ndihmesë e madhe në këtë kohë”, i tha Murati, Tahirit.
Murati madje ironizoi me Tahirin, duke i thënë 100 euro mund të duken pak për ata që shpenzojnë mijëra euro në armë e fishekë.
“Për disa që shpenzojnë dhjetëra mijëra euro për armë e fishekë mund t’iu duken pak, mirëpo për shumicën e familjeve mjaftojnë”.