Furnizimi i Serbisë me armë nga Kina, flasin nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës

Aktuale

Furnizimi i Serbisë me armë nga Kina, flasin nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës

Më: 14 prill 2022 Në ora: 23:19
Transportuesi më i madh ushtarak kinez, Y-20 - Fotografi nga arkivi.

Furnizimi i Serbisë me armë nga Kina, po shihet si shqetësuese dhe e papranueshme nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Shefi i komunikimit strategjik në këtë ministri, kolonel Sefer Isufi, tha se furnizimi i Serbisë me armatim ka qëllim “për të destabilizuar regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë”.

“Ardhja e kontigjentit të Kinës krahas atij Rus dhe Bjellorus në Serbi, kemi vlerësuar se është shqetësues për mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjërë e sidomos duke pasur parasysh qëndrimin zyrtar të Serbisë në relacion me Kosovën dhe qëndrimin zyrtar të saj në raport me Bosnje e Hercegovinën, pastaj Malin e Zi dhe kemi vlerësuar se armatimi i Serbisë me sisteme të ndryshme luftarake lë hapësirë për të cënuar mjedisin e sigurisë dhe për të destabilizuar regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”, tha Isufi.

Isufi shton se armatimi i Serbisë nga Rusia dhe Bjellorusia ka qenë i pritshëm dhe jo diçka e re. Por, shton se pranimi i armatimit nga Kina është i paspjegueshëm duke u bazuar në qëndrimin e saj për luftën në Ukrainë.

“Armatimi i Serbisë nga Rusia dhe Bjellorusia, ne jemi të vetëdijshëm se përgjatë një dekade ka pranuar sisteme të ndryshme të armatimit nga Rusia dhe Bjellorusia por ishte i pakuptimtë dhe i paspjegueshëm pranimi i sistemeve të armatimit nga Kina duke e pas parasysh qëndrimin e NATOS edhe në takimet e fundit në Samitin në takimin e fundit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që të krijohet një digë properëndimor në relacion me Rusinë dhe qëndrimin tashmë të ditur të Kinës për agresionin dhe konfliktin që është duke ndodhur në Ukrainë”, u shpreh Isufi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar dërgesën e sistemit me rreze të mesme veprimi, për furnizimin e të cilit Beogradi dhe Pekini ishin pajtuar më 2019.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat