Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se partitë politike nuk duhet të përzihen në punën e Policisë së Kosovës.
Qalaj tha se çdoherë që partitë politike dhe liderët institucional që përzihen në punën e policisë e dëmtojnë institucionin.
Sipas tij, të gjithë politikanët duhet të qëndrojnë sa më larg policisë, sidomos në pjesën operacionale.
“Çdoherë që partitë politike, liderët institucional që përzihen në punën e policisë e dëmtojnë institucionin. Të gjithë politikanëve që janë sot dhe të gjithë që vijnë nesër që të qëndrojnë sa më larg policisë, sidomos në pjesën operacionale. Policia ka nevojë për mbështetjen e Qeverive, asaj aktuale dhe atyre që vijnë më vonë, edhe me buxhet në mënyrë që policët të jenë më mirë të përgatitur nga aspekti logjistik , të kenë paga më të mira, trajnime më të mira”, tha Qalaj.
Ai thotë se Qeveria duhet ta mbështesë Policinë e Kosovës me ligjin për pensionim të parakohshëm.
“Po ashtu qeveria duhet me mbështet policinë e Kosovës me ligjin për pensionim të parakohshëm…Policia e Kosovës ka nevojë që të përtërihet, me një anë ka nevojë që këta kolegë që i kanë mbushur vitet dhe janë të sëmur të pensionohen dhe ta kenë një pension deri diku të dinjitetshëm. Të pranohen gjenerata të reja, të rritet njësia speciale në mënyrë që të t’iu bën ballë të gjitha sfidave që mund të paraqiten edhe në veri por edhe në pjesë te tjera të vendit”, ka deklaruar Qalaj.