Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu i cili është edhe iniciator për tërheqjen e 30 për qindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale – (Trusti Pensional), tha se në Kuvend do të parashtrojë edhe kërkesë që projektligji të kalojë në procedurë të përshpejtuar.
Haxhiu tha se do të kërkon nga Kuvendi që projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti të kalojë në procedurë të përshpejtuar, pasi që sipas tij qytetarët kanë nevojë për këto mjete.
“Projektligji për Trustin jam i bindur që do të kalojë dhe kërkesa ime në Kuvend do të jetë që të kalohet në procedurë të përshpejtuar që të ndihmojmë sa më shpejtë qytetarin”, tha Haxhiu.
Ai tha po ashtu se për kalimin e këtij projektligji ka mbështetje nga të gjitha partitë opozitarë, nga disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga deputetët e minoriteve.
“Unë kam diskutuar me deputetë dhe e kam mbështetjen e të gjithë deputetëve të partive opozitare dhe të minoriteve, por ka edhe shumë deputetë të mazhorancës të cilët kanë deklaruar se janë pro këtij projektligji dhe ashtu siç më kanë kërkuar mua qytetarët edhe deputetët përfshirë edhe të mazhorancës, ky projektligj për tërheqjen e 30 përqindshit nga Trusti është kërkesë e qytetarëve në këtë krizë ekonomike. Kriza ekonomike vërtetë ka rënduar jetën qytetarëve, në veçanti pas krizave të një pas njëshme përfshirë edhe atë pandmike, energjetike dhe tash edhe kjo e rritjes së çmimeve. Kam thënë se janë më shumë se 12 deputetë nga mazhoranca të cilët janë deklaruar pro projektligjit, por ka edhe deputetë të tjerë që janë pro. Të gjitha grupet parlamentare janë pro këtij projektligji, edhe minoritetet e përkrahin dhe janë pro këtij projektligji, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve dhe nuk është iniciativë e imja. Unë do të jem promovues i kësaj kërkese”, tha Haxhiu.
Propozimi i PDK-së për ndryshimet ligjore që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve nga Trusti ka kaluar në Kryesi të Kuvendit më 21 mars dhe është proceduar në Qeveri.
“Projektligji i dorëzuar prej nesh është një kërkesë e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Në kryesi të Kuvendit kjo iniciativë ka kaluar më 21 mars dhe sipas procedurës parlamentare për miratimin e ligjeve, qeveria ka afat 30 ditë për të dhënë mendimin e saj rreth kësaj çështjeje. Qeveria ka mundur që këtë mendim ta jap edhe më herët, sepse është kërkesë imediate e qytetarëve. Mirëpo, qeveria ka vendosur që të mos e jap mendimin e saj para 21 prillit, pra të pres afatin e fundit”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha më tej se ndarja e 100 eurove nga Qeveria e Kosovës është lëmoshë për qytetarët.
“Nuk ka pas mbështetje për qytetarët dhe kjo krizë nuk kalohet me lëmosha nga 100 euro për një muaj, sepse kriza nuk është njëmujore. Kriza është dyvjeçare, prej krizës pandemike deri më sot është më shumë se dyvjeçare dhe nuk mund të kalohet me 100 euro në muaj”, tha ai.