Ministria e Mbrojtes ka publikuar rezultatet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të cilët ishte raportuar se janë helmuar nga ushqimi
Sipas analizave nga Qendra Kombëtare e Shëndetësisë Publike të Kosovës, thuhet se rezultatet e ushqimit kanë rezultuar normal, jo të dëmshëm.
“Bazuar në rezultatet e këtyre analizave, Inspektorati Sanitar i Kosovës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në procesverbalin nr. 0001375, të datës 13.04.2022, njofton se rezultatet e ushqimit kanë rezultuar në kufijtë (parametrat) normal dhe jo të dëmshme, si dhe në mostrat e analizuara nuk janë izoluar baktere patogjene”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë.
Ditë më parë, edhe IKSHPK-ja kishte bërë të ditur se ushtarët e FSK-së nuk janë helmuar nga ushqimi që kishin ngrënë për për syfyr në mensën e FSK-së në Gjilan.
Nga IKSHP-ja kanë thënë se s’janë gjetur bakterie patogjene që shkaktojnë helmim, por se në mostrën e sallatës janë gjetur baktere të gjalla.
“Analizat mikrobiologjike, respektivisht rezultatet e koprokulturës kanë rezultuar pa bakterie patogjene të cilat shkaktojnë helmim me ushqim. Në mostrën e sallatës është identifikuar numri i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 3200 cfu gr/ml’, kanë deklaruar nga ky Institut.
Theksojmë se më 6 prill ishte raportuar se pesë ushtarë të FSK-së janë helmuar pasi kishin ngrënë syfyr në kazermën “New Born” në Gjilan.