Ilir Kërçeli, Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, thotë se nuk është koha të flitet për mungesën e sigurimeve shëndetësore për policët e as për pagat e tyre dhe për të dyja vlerëson se nuk është faji i Qeverisë Kurti.
Sipas tij, në kohën kur Policia e Kosovës po përballet me sulme në veri të vendit, nuk duhet të fliten këto tema.
Postimi i tij i plotë:
Nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë paga më të larta, por as nuk është faji i kësaj qeverie e as i policëve për këto 13 muaj qeverisje për këto probleme.
Nuk është momenti e nuk është as koha e nuk është as mirë që këto tema e këso lajme të prodhohen në këto ditë kur dje veç u bë edhe sulmi i pestë mbi policinë e Kosovës brenda 72 orëve.
Është koha për motivim, kurajo e mbështetje për policinë tonë ashtu si e meritojnë në çdo ditë të jetës tonë në vendin tonë!