Bekim Haxhiu i kundërpërgjigjet Albin Kurti, rreth tërheqjes së Trustit

Aktuale

Bekim Haxhiu i kundërpërgjigjet Albin Kurti, rreth tërheqjes së Trustit

Më: 18 prill 2022 Në ora: 11:25
Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka quajtur të gabueshme deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili mëngjesin e sotëm tha se nuk e sheh si zgjidhje tërheqjen e mjeteve të Trustit.

Haxhiu, i cili ka qenë iniciuesi për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, si ndihmë ekonomike për qytetarët, tha se shefi i Qeverisë është nën ndikimin e Fondit Ndërkombëtar Monetar.

Ai, deklaroi se Qeveria do të ishte më mirë të japë një opinion zyrtar lidhur me këtë çështje sesa të dalë në publik.

“Deklarata e kryeministrit është gabim. Duke pasur parasysh gjendjen, së pari pandemike, pastaj energjetike dhe tani ekonomike, tërheqja e Trustit do të ishte një ndihmesë për qytetarët e vendit. Janë qytetarët ata të cilët po e dëshirojnë një gjë e tillë”, tha deputeti opozitar.

Madje, Haxhiu shtoi se pret që deri më 21 prill, kur edhe ekzekutivi e ka afatin e fundit të japë opinionin e saj për (mos)tërheqjen e Trustit dhe më pas të procedohet projektligji në Kuvendin e Kosovës.

“Me apo pa opinionin e Qeverisë, projektligji do të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Ne presim që kjo do të votohet, edhe me votat e mazhorancës, pasi ka deputetë të pushtetit që janë pro tërheqjes së Trustit”, theksoi Haxhiu.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare pret që deputetët e Kuvendit të Kosovës të tregojnë integritetin e tyre që ta votojnë projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Tërheqja e Trustit nuk e dëmton buxhetin e Kosovës, përkundrazi. Prapë 70 për qind do të mbeten, pasi veç 30 për qind do të tërhiqen dhe kjo shumë do t’i dalë në ndihmë qytetarëve në këtë luftë ekonomike. Pushteti duhet ta sjellë po ashtu në Kuvend ligjin për skemat pensionale, pasi ka qenë premtim i Kurtit sa ishte në opozitë”, vijon tutje Haxhiu.

Ditën e sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër tërheqjes së një pjese të parave nga Trusti, duke thënë se kjo nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

Pasi bëri homazhe te busti i heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, shefi i qeverisë tha se edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtarë kanë deklaruar se tërheqja e një përqindje nga Trusti kanë dhënë mendim të njëjtë.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”.

Partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ka iniciuar ndryshimin e ligjit për tërheqjen e një pjese të Trustit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat