“Katrahura” në raportimin e Rozeta Hajdarit, përmendet rasti i drogës e qiraja mijëra euro e pianos
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi. Por, gjatë raportimit në lidhje me Projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport-CERP, me huamarrje nga Banka Botërore pati edhe tensione mes anëtarëve të Vetëvendosjes dhe kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK.
Shala kritikoi ministren Hajdari se janë shkelur të gjitha kriteret e kërkuara për projektin e konkurrueshmërisë, dhe sipas tij përfitues të këtyre mjeteve janë kompani ndërtimore dhe këshilluese.
Po ashtu ai ngrehi edhe një shqetësim, se sekretari i kësaj ministrie është përfitues për shkollim në AUK.
Në lidhje me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore” pati edhe tensione mes anëtarëve të LVV dhe kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK, anëtarëve Pal Lekaj nga AAK dhe Valentina Bunjaku nga LDK.
Mbledhja është ndërprerë pas tensioneve mes anëtarëve të komisionit dhe ministes Hajdari.
Debati mes tyre është përcjellë me ndërprerje të fjalëve nga njëri-tjetri.
Për pianon 4 mijë euroshe që u mor me qera në Dubai, e u pagua nga buxheti i Kosovës, u ngrit debat i ashpër në komisionin për Financa ku po raporton ministre Rozeta Hajdari.
‘’Mos na shitni pallavra këtu ju ministrat. Keni bërë shkelje flagrante të marrëveshjes ndërkombëtare që është ratifiku në Kuvend’’, i tha Pal Lekaj ministre Hajdarit.
‘’Po më vjen keq për gjitha këto aludiume, të cilat dalin tek një eksport i pianos, që s’ka lidhje fare me buxhetin ndërkombëtar’’, u përgjigj Hajdari.
‘’Qysh s’ka lidhje”, tha Lekaj.
‘’Unë s’kam paguar pianon me paratë e huasë së bankës botërore. Ato pare janë nga buxheti i vitit 2021, dhe pjesa tjetër nga buxheti i vitit 2022″.
‘’Mos na i përsërit 100 mijë herë, këtu me lexu’’, tha Lekaj.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, kritikoi anëtarët e komisionit parlamentar – anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet – për përmendjen e rastit të kapjes me drogë në veturë të ish-sekretarit të Ministrisë së Tregtisë, Burim Rreci.
“Është marre me u përmend vjedhja e telefonave, me u përmend droga dhe thjeshtë me u deviju gjithçka në këtë mbledhje. Nuk është në rregull kjo”, tha ajo.
Mimoza Kusari-Lila përmendi paraprakisht gjatë diskutimit rastin e kapjes me 50 kilogramë marihuanë të ish-sekretarit Rreci.