Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet me shqyrtimin dhe votimin e disa projektligjeve, pa prezencën e partive opozitare në sallë. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë refuzuar të marrin pjesë në seancë dhe votime deri në formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me krizën energjetike.
Si pasojë e braktisjes së seancës nga opozita, marrëveshjet ndërkombëtare dhe debati për situatën e sigurisë në vend nuk do të jenë pjesë e rendit të ditës.
Konjufca pasi opozita lëshoi sallën: Nuk është e mundshme të votohen marrëveshjet ndërkombëtare
“I kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare sepse as që është e mundshme tani të votohen ato, edhe e kalojmë edhe debatin i cili është kërkuar nga AAK meqenëse propozuesi e lëshojë seancën, kështu që kalojmë të pika e tetë që është shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për sigurimin shëndetësore”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.