Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku vlerëson se refuzimi i pushtetit për të formuar Komisionin Hetimor Parlamentar për krizën energjetike, është një shenjë frike ndaj të vërtetës e cila do të do të zbardhet herët apo vonë.
“Hetim parlamentar për energjinë
Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike - një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK.
Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë - e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion,
“Kemi qenë konstruktiv në secilën nismë; kemi qenë mbështetës në secilin interes. Kjo sjellje e jonë duket se është marrë si e mirëqenë. Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë - e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frigohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë.
Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë - asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.