Abdixhiku u flet studentëve të Filozofikut për shkeljen e Kushtetutës nga ministrja e Arsimit

Aktuale

Abdixhiku u flet studentëve të Filozofikut për shkeljen e Kushtetutës nga ministrja e Arsimit

Më: 20 prill 2022 Në ora: 15:34
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, siç njofton zyra e tij, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit Filozofik. Aty thuhet se Abdixhiku foli për për shkeljen e Kushtetutës nga pushteti.

Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku me studentët diskutoi për “sfidat politike që ka Kosova, nevojën për reforma në arsim, politikën skandaloze të jashtme si dhe qasjen e vizionin e LDK-së për këto sfida”.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka shkelur Kushtetutën me një vendim të marrë për nxënësit në Kamenicë.

LDK-ja njofton se Abdixhiku e trajtoi këtë temë me studentët.

“Njëra ndër çështjet që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e trajtoi me theks të veçantë ishte shkelja e Kushtetutës nga akterët e pushtetit aktual, krijimi i precedentit për mosmarrje të përgjegjësisë, si dhe interpretimi i vendimit të Gjykatës me gjuhë politike nga ana e pushtetit”, thuhet në njoftim.

“Për më keq, Kushtetuta është shkelë edhe nga ata që është dashur të merren me reformën në arsim, përkatësisht ministrja e Arsimit, ndaj, kjo është e papranueshme. Demokracia na duhet e gjallë dhe funksionale, ndërsa shkelja, analizimi dhe interpretimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti është përpjekje për defunksionalizim dhe mbytje të demokracisë”, citohet të ketë thënë  Abdixhiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat