Shefja e UNMIK-ut: Prishtina dhe Beogradi të angazhohen më aktivisht në dialog

Aktuale

Shefja e UNMIK-ut: Prishtina dhe Beogradi të angazhohen më aktivisht në dialog

Më: 20 prill 2022 Në ora: 22:44
Caroline Ziadeh

Në fjalimin e saj të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefe e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, iu bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më aktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa ky proces ka arritur rezultate domethënëse për çështje të ndryshme praktike, deri më tani, normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve në mes të dy palëve vazhdon të jetë i paarritshëm”, Ziadeh në shënimin e 9-vjetorit të Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve.

“Pajtimi dhe adresimi i shqetësimeve nga e kaluara duhet të shërbejnë për përforcimin e përpjekjeve për arritjen e qëllimeve të rëndësishme strategjike,” shtoi ajo.

Duke përmendur gjendjen në Ukrainë dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm në sigurinë dhe ekonominë në Evropë, Ziadeh ritheksoi se qëndrueshmëria e institucioneve demokratike në mbarë Ballkanin është faktor kyç për një Evropë të sigurtë dhe demokratike.

Ajo tha që edhe para këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës kishte pësuar goditje, duke theksuar ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e rajonit. “Në këtë kontekst, bëhet edhe më urgjente gjetja e mënyrave praktike të bashkëpunimit ekonomik në mes Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë fqinjëve në rajon”, vijoi Ziadeh.

Shefja e UNMIK-ut përshëndeti procesin e zgjedhjeve në Serbi, për të cilin tha se përkrahjen nga të dyja palët, 19,000 serbë të Kosovës votuan në qendra të veçanta të votimit në Serbi, edhe pse, nuk u arrit zgjidhja për t’iu mundësuar pjesëmarrje në Kosovë.

Pas raportimeve të kohëve të fundit për sulme kundër Policisë së Kosovës, ajo bëri thirrje për dënim të përbashkët dhe veprime të shpejta për t’i sjellë përgjegjësit e këtyre veprimeve para drejtësisë. Ajo po ashtu inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin të gjejnë zgjidhje të përhershme për targat dhe energjinë.

Në rrethanat aktuale aq të ndërlikuara, Ziadeh u bëri thirrje udhëheqësve që të jenë të matur në veprimet dhe retorikën e tyre politike.

Ziadeh po ashtu theksoi se UNMIK-u nuk është as pengesë as forcë shtytëse për rezultatin përfundimtar të preferuar nga njëra apo pala tjetër. Ajo shpjegoi se misioni e vazhdon trashëgiminë e përkrahjes institucionale, duke punuar në sinergji me familjen e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së, për të siguruar kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

“UNMIK-u vazhdon të mbetet qendër e njohurive, përvojave dhe ekspertizave relevante … duke përkrahur një shoqëri aktive civile, promovuar masa të reja për ta ndihmuar Kosovën në forcimin e rendit dhe ligjit, duke kontribuar në fuqizimin e grave dhe rinisë, duke ofruar ekspertizë dhe përkrahje për mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: të gjitha këto do të mbeten prioritete kryesore”, u shpreh Ziadeh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat