Eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se bisedimet për çështjen e targave do të shtyhen edhe për katër deri në gjashtë muaj.
Çollaku theksoi se ky nuk është njoftim zyrtar por, siç thotë ai, një kalkulim i tij bazuar në indice.
“Diku mes katër deri në gjashtë muaj pritet të zhvillohen bisedimet… Do të shtyhen bisedimet për këtë çështje. Është kalkulim i imi i bazuar në indice, informacione të shkëputura. E shohim a do të dalë ose jo”, tha Çollaku.
Ai madje foli edhe për situatën e kohëve të fundit në veri, ku pati sulme ndaj policisë, për të cilën tha se janë bërë përpjekje nga grupe të organizuara serbe për të destabilizuar vendin dhe për të përhapur frikë dhe pasiguri.
“Sulmi me armë nuk është diçka e re në veri dhe përpjekjet e Serbisë, përmes grupeve të instrumentalizuara, përditësohen për të destabilizuar Kosovën dhe për të përhapur frikë dhe pasiguri dhe për të prezantuar Kosovën edhe jashtë kufijve si shtet jo i konsoliduar mirë dhe në pamundësi të shtrirjes së juridiksionit në atë pjesë, ky është një ndër qëllimet themelore”, tha ai.
Sipas Çollakut, popullata serbe në atë pjesë e ka pranuar policinë e Kosovës për të kryer detyrat e saj.
“Popullata serbe e veriut ka filluar ta pranojë policinë e Kosovës për të kryer detyrën e saj në atë pjesë, për mua ky është një sinjal shumë i mirë, është tregues i një fillimi të ndriçimit të mentalitetit të popullatës, jo të qarqeve kriminale, jo të strukturave paralele dhe mbetjeve të tyre në atë territor. Në anën tjetër, e kemi Serbinë në kontinuitet me një aktivitet destruktiv dhe skenar të ndryshëm dhe normalisht kjo është shqetësuese, dhe në anën tjetër edhe kundërpërgjigjja me veprime, me masa, me strategji, që për mua është e qëlluar dhe inkurajuese sepse nuk do të ketë problem të madh, në kuptimin e përshkallëzimit në përmasa të gjera deri te një luftë eventuale, unë s’besoj që do të ndodhë”, shtoi ai.