Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ferit Hoxha, ka folur për arritjet e Kosovës gjatë viteve të fundit.
Në fjalën e tij në mbledhjen e KS-së ku po diskutohet për Kosovën, ai ka thënë se OKB-ja duhet të rishikojë misionin e UNMIK-ut në Kosovë, pasi që ajo nuk ka çfarë shërben më atje.
“Tashmë kemi të bëjmë me një demokraci të plotë. Që nga viti 1999, UNMIK-u e ka shoqëruar Kosovën gjatë rrugës drejtë së ardhmes. Por, pas Pavarësisë së Kosovës dhe legjitimitetit të konfirmuar nga GjND-ja, përgjegjësitë e UNMIK-ut dalë ngadalë kanë kaluar në institucionet e vendit. Tashmë kemi ardhur në një moment që të shohim realitetin dhe përparimin e Kosovës. UNMIK-u aktualisht nuk ka asnjë rol thelbësor në Kosovë, pasi që sundimi i Ligjit është përgjegjësi e policisë, KFOR-it dhe EULEX-it atje. Sistemi i gjyqësorit gjithashtu është i konsoliduar. Situata në Kosovë pra nuk është çështje e paqes dhe sigurisë. Kur flasim për paqeruajtjen në Kosovë, kjo nuk ka kuptim tani. Ky mision (UNMIK-u), kushton mbi 40 milionë dollarë në vit, andaj kërkoj që të rishikohet edhe një herë ky mision. Duhet të ketë rishikim nga ana e OKB-së dhe ndërprerja e këtij misioni në Kosovë”, ka thënë Hoxha.
Megjithatë, ai ka thënë se puna e UNMIK-ut deri më tani në Kosovë është për tu lavdëruar, por se e sheh të pakuptimtë vazhdimin e këtij misioni atje, duke marrë parasysh se sipas Hoxhës “misionet e OKB-së janë për të kryer një mision dhe ky mision në Kosovë ka mbaruar”.
Në fjalën e tij, Hoxha ka thënë se duhet më shumë përqendrim të palëve në dialog dhe të ketë proces produktiv dhe jo pa rezultate.
Hoxha ka thënë se Pavarësia e Kosovës është një realitet që duhet të pranohet edhe nga Serbia dhe të gjitha vendet që nuk e njohin Kosovën, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të ecet përpara.
“Ne i dimë të gjitha gjenocidet e krimet që janë kryer në rajon me shpërbërjen e Jugosllavisë. Millosheviqi ka përfunduar në burg, ai nuk është tash, andaj duhet t’i lëmë pas këto çështje, ta pranojmë realitetin dhe të vazhdojmë përpara”, ka thënë Hoxha.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë vendosur të jenë të pavarur qysh nga viti 2008, andaj ky realitet duhet të pranohet nga të gjithë.“Pavarësia e Kosovës është realitet që nga viti 2008 dhe nuk është çështje diskutimi askund, e as këtu. Ka qenë çështje diskutimi për kosovarët dhe ata kanë vendosur të jenë të pavarur”, ka thënë Hoxha.
Në fjalën e tij, Hoxha ka përgëzuar edhe një herë Kosovën që mbështeti Ukrainën dhe u rreshtua në anën e Perëndimit, ndërsa ka thënë se Rusia është duke përdorur ende aleatët e saj në Ballkan për të destabilizuar këtë rajon.