Trendafilova cakton Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e Pjetër Shalës

Aktuale

Trendafilova cakton Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e Pjetër Shalës

Më: 21 prill 2022 Në ora: 10:22
Pjetër Shala

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, me 19 prill, ka caktuar Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e dorëzuar nga mbrojtja e Pjetër Shalës, më 14 prill 2022.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti do të vendosin lidhur me këtë referim që ka të bëjë me shkeljet e pretenduara të të drejtave themelore të të akuzuarit.

Ndryshe, Shala ka pretenduar shkeljen e të drejtave të tij sipas nenit 33 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (“KEDNJ”) si rezultat i akuzave të ngritura kundër tij nën mënyrën e përgjegjësisë së një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe për krimin e luftës të ndalimit arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar.

Në referimin e mbrojtjes së Shalës thuhet se parimi nullum crimen sine lege i cili garantohet me nenin 33 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 7 të KEDNJ-së ndalon zbatimin prapaveprues të ligjit penal, duke përfshirë edhe mënyrat e përgjegjësisë. Të vetmet krime dhe forma të përgjegjësisë që mund të akuzohen ligjërisht janë ato që ishin pjesë e ligjit në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës në vitin 1999. Në kohën konkrete, krimi i luftës i ndalimit arbitrar dhe mënyra e përgjegjësisë së NPK-së nuk ishin pjesë e rendit juridik të Kosovës ose ndryshe të zbatueshme në Kosovë.

“Z. Shala po akuzohet për ndalimin arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar dhe për krime të tjera përmes NPK-së në bazë të Ligjit për DhSK-në, i cili u prezantua në Kosovë gjashtëmbëdhjetë vjet pas periudhës së aktakuzës. Ligji i DhSK-së është interpretuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake dhe Kolegji i Dhomës së Gjykatës së Apelit, në këtë rast në një mënyrë që i jep efekt të drejtpërdrejtë të Drejtës Ndërkombëtare Zakonore dhe kriminalizon sjelljet që nuk përbënin vepër penale në ligjin e zbatueshëm në Kosovë në kohën materiale. Kjo cenon të drejtat e të akuzuarve sipas nenit 33 të Kushtetutës dhe nenit 7 të KEDNJ siç do të tregohet më poshtë”, thuhet në referim të tij.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë./BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat