Kryenegociatori Besnik Bislimi tha se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot dhe s’është arritur marrëveshje mes palëve.
“Është vendim politik që duhet të marrin krerët e shtetit se si të ecim tutje, por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar. Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit”, tha Bislimi, raporton RadioEvropa e Lirë.
Ai shtoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia.
“Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale”, tha Bislimi.
Këto deklarata të Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.