Këshilltarja e Vjosa Osmanit, Rejhan Vuniqi, i ka kërkuar falje nëpërmjet telefonit deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, pasi e kishte pëlqyer një postim në të cilin fyhej kjo e fundit.
Këtë e bëri të ditur vetë Vuniqi nëpërmjet një postimi në Facebook.
Media pas këtij postimi e ka kontaktuar deputeten Musliu dhe e ka pyetur nëse është telefonuar nga këshilltarja e presidentes Osmani.
“Po, më ka telefonuar zonja Vuniqi dhe më ka kërkuar falje”, ka thënë shkurtër Musliu.
Vuniqi kërkimfaljen e bëri pas raportimit të Demokracia.com.
“Dhuna në të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë edhe politikën, është krejtësisht e papranueshme e në veçanti dhuna ndaj grave. Personalisht kam qenë cak i sulmeve të tilla dhe vazhdimisht kam avokuar e jam deklaruar kundër këtij fenomeni të patolerueshëm. Sot, përmes një artikulli, kuptova se rastësisht kisha pëlqyer një postim në Instagram, i cili shpërfaqte gjuhë të papranueshme kundër një deputeteje të parlamentit tonë. Dua të sqaroj menjëherë se ky pëlqim ishte aksidental dhe kurrsesi i qëllimshëm, ndërsa besoj se përdoruesit e këtij rrjeti social mund ta kuptojnë më së miri një situatë të tillë. Sapo e kam parë lajmin, menjëherë e kam telefonuar deputeten Ganimete Musliu dhe i kam kërkuar falje për këtë veprim aspak të qëllimshëm.”, ka shkruar Vuniqi në Facebook.
Ajo tutje ka shtuar se kurrë nuk e ka mbështetur gjuhën denigruese ndaj grave.
“Si person që i kam kushtuar rëndësi në karrierën time mbështetjes së grave në politikë, më vjen sinqerisht keq për këtë situatë dhe dua ta përsëris edhe njëherë se kurrë NUK do ta falë e as s’e kam mbështetur ndonjëherë këtë gjuhë denigruese apo çfarëdo sjellje të ngjashme”, ka shtuar Vuniqi.