Tahiri i AAK-së reagon pas refuzimit të Qeverisë për tërheqje parash nga Trusti

Aktuale

Tahiri i AAK-së reagon pas refuzimit të Qeverisë për tërheqje parash nga Trusti

Më: 21 prill 2022 Në ora: 23:28
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri është i pari nga deputetët që ka reaguar pas refuzimit të Qeverisë për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Tahiri përmes një shkrimi në Facebook tha se AAK-ja do të bëjë çmos që ta mundësojnë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, duke shtuar se Qeveria duke mos e përkrahur këtë nismë, po e bën edhe një gabim.

“Edhe një gabim i Qeverisë! Qeveria e Kosovës është humbur dhe tjetërsuar në petkun e pushtetit, ndërsa hallet dhe kërkesat e qytetarëve i trajton vetëm në fushatë zgjedhore. Qeveria e ka shumë gabim që nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Si Grup Parlamentar do të bëjmë çmos që ta mundësojmë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti”, tha Tahiri.

Tutje, tha se mospërkrahja e qytetarëve në këto kohë, kur ka goditje të mëdha ekonomike, tregon se vendi ka një qeverisje pa qeveri.

“Tërheqja e kursimeve nga trusti, sidomos në kohën kur vendin e ka përfshirë kriza ekonomike, është shumë e nevojshme për këndellje të ekonomisë dhe familjeve kosovare. Pra, duhet shfrytëzuar të gjitha burimet, të gjitha alternativat duke shfrytëzuar në këtë rast edhe Trustin, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve”, tha Tahiri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër tërheqjes së parave nga Trusti Pensional i Kosovës. Nëpërmjet një deklarate për mediat, ekzekutivi arsyetohet se një veprim i tillë, s’do të ndihmonte kategoritë në nevojë për shkak të përqindjes së ulët të fondit pensional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat