Politikani slloven reagon pas dyshimeve se u përfshi në skandal financiar me ambasadorin e Kosovës

Aktuale

Politikani slloven reagon pas dyshimeve se u përfshi në skandal financiar me ambasadorin e Kosovës

Më: 22 prill 2022 Në ora: 00:43
Robert Golob

Robert Golob, kryetari i Partisë së Lirisë në Slloveni, i cili dyshohet se është implikuar në një skandal financiar bashkë me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka mohuar akuzat për përfshirje në aferën e dyshuar për shpërlarje parash.

Në një debat televiziv të enjten, në të cilin morën pjesë 12 përfaqësues të subjekteve politike në Slloveni, Golob tha se Martin Berishaj, i cili dyshohet se shërbeu si sekser i 600 mijë eurove mes tij dhe një kompanie private serbe, është mik i Janez Janshas, kryeministrit slloven, i cili ishte pjesë e panelit debatues në televizionin publik slloven, RTS Slovenia.

Golob, tha se Jansha, rival i tij politik me të cilin do të përballet në zgjedhjet parlamentare në Slloveni që mbahen të dielën, është fotografuar dhe shoqëruar me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci.

Golob iu referua një fotografie që Jansha ka me Berishajn.

Në një kundërpërgjigje, Jansha e konfirmoi se e njeh Berishajn, kryetarin e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Slloveni, por mohoi të ketë lidhje shoqërore me të.

Golob deklaroi se të gjitha të ardhurat i merr vetëm në Slloveni dhe se e gjithë pasuria e tij është “e pastër dhe ka origjinë të njohur”.

Martin Berishaj dyshohet se është implikuar në një skandal të madh financiar, të cilin e ka zbuluar mediumi slloven, Planet TV.

Ambasadori i Kosovës dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat