Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka dërguar mesazh Qeverisë se nuk do të lejojnë fshehjen e krimit gjatë krizës energjetike. Ai ka theksuar se insistimi i pushtetit për mos formimin e komisionit hetimor, tregon se prapa fshehjes së tyre ka korrupsion.
Ai edhe një herë e ka përsëritur se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim nëse nuk themelohet komisioni hetimor për krizën energjetike.
Abdixhiku: Sa më shumë që e fshehin, kuptojmë që prapa saj fshihet diçka korruptive
“Arsyetimet e kota të pushtetit për çështje ligjore rreth themelimit, të pavërteta dhe të pasakta, nuk mund të ndalin këtë komision. Unë i dërgoj mesazh të qartë kësaj Qeverie dhe njerëzve të përfshirë se krimi nëse ka ndodhur dhe tentoni ta fshehin me mosvotim të komisionit hetimor, nuk do të fshihet dhe mbetet aty. Herët apo vonë do të merremi me këtë çështje. E ftoj pushtetin që të zhbllokoj këtë të drejtë kushtetuese të opozitës. Pa zhbllokimin e kësaj gjendje, pa aprovimin e komisionit hetimor që i jep transparencë të plotë fondeve 120 milionë euro, nuk do të ketë votim të opozitës në parlament. Sa më shumë që e fshehin, sa më shumë që bëjnë përpjekje për ta fshehur, më shumë do të insistojmë sepse kuptojmë se prapa fshehjes së tyre ka diçka të madhe, të dhimbshme e korruptive”, u shpreh Abdixhiku.
Pas mbledhjes së kryesisë, Abdixhiku në konferencë për medie shtoi se dialogu duhet të bëhet me agjendë të qartë që sjell njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.
Abdixhiku: Dialogu derisa është teknik, është pa rezultat
"Përderisa Kosova dhe Serbia mbetën në çështje teknike, sidomos Kosova, do të zgjatet në pa kufij dialogu dhe nuk do të ketë fare rezultate. Për shkak se rezultatet teknike nuk janë probleme bazike të dy vendeve. Ajo çfarë më lë përshtypje në këtë drejtim është se targat e lëshuara për qytetet e Kosovës nga qeveria e Serbisë tani po futen në një afat të pacaktuar. Përderisa kishim një arsyetim se do të vlenin vetëm për gjashtë muaj, tani pa u thënë fare po futen në një afat të përjetshëm dhe pa agjendë të saktë. Gjithsesi unë mendoj që dialogu derisa është teknik, është pa rezultat. Përderisa nuk është prioritet i interesave tona nacionale në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar, as nuk do të ketë përfitime”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka komentuar edhe fotografinë e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe kryeministrit Albin Kurti, ku janë parë të afërt në një ngjarje.
Abdixhiku: Kryetari i një komune duhet të ketë marrëdhënie të mira institucionale
“Kryetari i një komune duhet të ketë marrëdhënie të mira institucionale me të gjithë, përderisa shërbejnë në interes të qytetit dhe patjetër që e mbështesim, si çdo kryetar tjetër i komunave të udhëhequra nga LDK. Ne për dallim prej partive të tjera, politikën se bëjmë instrument për të dënuar qytetarët tanë. Shpresoj që të dalin projekte të mira në komunikime të tilla”, ka shtuar ai.
Pas mbledhjes së kryesisë, Abdixhiku ka njoftuar se LDK do të mbajë konventën e partisë me 29 dhe 30 prill të këtij viti.