Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sa më shumë Qeveria të hezitojë për krijimin Komisionit Hetimor Parlamentar, aq më të zëshëm do të jenë ata për ta çuar deri në fund krijimin e tij.
“Sa më shumë që do të fshihet e vërteta, aq më shumë LDK-ja do të insistojë për hetimin e të gjitha skandaleve rreth energjisë, sepse prapa fshehjes së tyre është një e vërtetë e madhe dhe e dhimbshme.”
Abdixhiku tha për Qeverinë se nëse ajo tenton ta fshehë “krimin” përmes mosvotimit të Komisionit Hetimor, “krimi nuk do të fshihet, do të mbetet aty, ku shtoi se herët apo vonë do të merremi me këtë çështje”.
Në një konferencë për media, Abdixhiku ftoi pushtetin të zhbllokojë këtë të drejtë kushtetuese të opozitës, përkatësisht të lejojë krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Energji, që, sipas tij, ndër të tjera do të hetojë edhe fondet prej 120 milion euro në energjetikë dhe shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike prej 100 %, ku ritheksoi se në të kundërtën nuk do të ketë votim të opozitës në Kuvend.