Pas akuzës se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është i përfshirë me mafian serbe për shpëlarje parash, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e quajti sekser i Kurtit.
E për këtë çështje, deputeti i Levizjës Vetëvendosje, Agon Batusha, tha se është e pasinqertë nga Tahiri të hedhë akuza kundrejt ambasadorit Berishaj pa i parë ende faktet e dokumentacionet.
Sipas tij, Tahiri mund të jetë vetë njeri i tillë prandaj përdori atë gjuhë drejtuar Martin Berishaj.
“Është e pasinqertë prej kryetarit të grupit për anëtar të PDK-së, i cili ndoshta është mësuar vetë të jetë njeri i tillë dhe hedh akuza ende pa i parë faktet dhe dokumentacionet”, tha Batusha.
Lidhur me këtë situatë, Batusha tregoi se nuk ka shumë informacione, mirëpo shpreson të mos hidhen akuza para se të dalin përfundimet e qarta.
“Nuk jam shumë në dijeni të detajeve prandaj nuk më lejohet të fantazoj shumë për këtë çështje, por është e sigurt që të gjitha organet e shtetit janë në komunikim me njëra tjetrën por edhe me ambasadën atje. Unë shpresoj që të mos hidhen akuza para se të dalin përfundimet e qarta”, tha ai.