Ish-zëvendës ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni duhet të shkarkohet menjëherë.
Thaçi ka theksuar se parim është prezumimi i pafajësisë së individit është i shenjtë, mirëpo që pavarësisht kësaj ambasadori Berishaj duhet të shkarkuar sepse diplomacia e shtetit të Kosovës është damkosur.
“Parimi i prezumimit të pafajësisë së individit derisa të vërtetohet e kundërta, është parim i shenjtë. Bazuar në këtë parim, ambasadori i Kosovës në Kroaci është, duhet të konsiderohet dhe duhet të trajtohet i pafajshëm deri sa të ketë vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente që e shpallë atë fajtor. Nëse shpallet i pafajshëm, aq më mirë.”
“Pavarësisht kësaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci duhet të shkarkohet menjëherë nga kryeministri Kurti, jo duke paragjykuar që ai është fajtor për akuzat, por për shkak shteti i Kosovës, përfaqësimi e diplomacia e tij, është damkosur dhe do të vazhdojë të jetë i damkosur nga ky skandal publik derisa të zbardhet e vërteta për rastin në fjalë (cilado qoftë ajo)”, shkruan ai.
Tutje ai ka shtuar se mos-shkarkimi i Martin Berishajt e cenon kredibilitetin e Kosovës dhe shtetin e Koracisë.
“Prandaj, mos-shkarkimi i ambasadorit e cenon rëndë kredibilitetin e qeverisë së Kosovës, e dëmton rëndë imazhin e shtetit të Kosovës dhe përbën fyerje të rëndë për shtetin e Kroacisë. Çdo interpretim tjetër për situatën në fjalë është veç llomotitje burokratike!”, shtoi ai.
Jusuf Thaçi ka theksuar se është i zhgënjyer nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët po heshtin për këtë rast.
“Jam ekstremisht i zhgënjyer që aktivistët, përkrahësit e votuesit e LVV-së e të kryeministrit Kurti po heshtin për këtë rast, i cili mund të jetë precedenti më i keq që mund të krijojë Qeveria Kurti nëse nuk reagon me shkarkimin e ambasadorit. Me heshtje për raste të tilla nuk përkrahet LVV-ja e as kryeministri Kurti. Përkundrazi, me heshtje për raste të tilla përkrahet theqafja e LVV-së dhe e kryeministrit Kurti. Është e vërtetë që nganjëherë “heshtja është flori”, por në raste të tilla heshtja është krim”, përfundoi ai.