Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj duhet të jap dorëheqje nga pozita e tij, derisa afera ku ai përfshihet nga mediat sllovene, të sqarohet.
Sipas tij, skandali ku supozohet se është përfshirë Berishaj, është i karakterit ndërkombëtar.
“Skandali ku supozohet se është i përfshirë Martin Berishaj është i karakterit ndërkombëtar. E duke qenë se Berishaj është përfaqësues i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo e bën momentalisht krejt jorelevant faktin se a mund të jetë kjo shpifje dhe lojë politike në kuadër të garës zgjedhore në Slloveni, apo jo. E rëndësishme është që përfolja në skandale e një ambasadori të shtetit, e cenon kredibilitetin dhe imazhin e Kosovës”, ka shkruar ai.
Cakolli ka thënë se përpjekjet e krerëve institucionalë për ta mbrojtur publikisht ambasadorin Berishaj nuk i ndihmojnë as atij e as Kosovës.
“Përkundrazi, veç dëm shkaktojnë.”
“Ndryshe, ambasadori Berishaj – me gjithë kontributin dhe bagazhin e madh që bart – do të duhej që vet të ofrojë dorëheqjen, e të mos pranojë që të jetë pjesë e përplasjeve e lojërave politike edhe në Kosovë. Kjo, të paktën deri sa të sqarohet plotësisht çështja dhe të ketë një epilog gjyqësor”, ka theksuar në fund ai.