Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se i pranon kritikat, por se u lëndua njëherë kur u akuzua se është hajn dhe milioner.
Ai tha se kjo nuk qëndron aspak dhe se në bankë ka para sa për ndërtimin e varrit.
“Ishte një akuzë shumë e randë, ai është hajn dhe milioner, kjo ishte e papranueshme, sepse pejanët mua më njohin unë jetoj në një shtëpi modeste dhe jam komshiu i parë me kryetarin Gazmend Muhaxheri,ai na njeh më së miri familjen tonë prej kur jemi kthyer prej Turqisë. Ishte goxha e vështirë, në bankë kam para sa për një varr, sepse fëmijët e mi pa punë, njerëzit thonë hajt se këta kanë pare boll dhe më mbetet xhenazja mbi dhe, ato pare nuk guxojnë me i prekë”, tha ai.
Jasharaj tha se shtëpinë e tij ia ka ndërtuar një organizatë me kuzhinë dhe një dhomë.
“Shtëpinë time të djegur ma kanë maru një organizatë, një kuzhinë poshtë dhe një dhomë nalt. Kemi jetuar 5 – 6 vjet në atë shtëpi të gjithë, kur e bëra pagën më të madhe e bëra shtëpinë me dy dhoma, kjo është pasuria ime”, tha ai.
Ai tha se asnjëherë sa ka qenë kryetar nuk ka bërë ndonjë kërkesë për përfitime personale.
” Kërkesat tona kanë qenë me i rritë rrogat dhe kurrë nuk kemi bërë kërkesa personale, çka kërkon anëtarësia e dërgojmë aty”, tha ai.