Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, njëherësh nënkryetare e PDK-së, ka reaguar lidhur me veprimin e ambasadorit të Kosovës në Francë, Mehdi Halimit, i cili u pa sot të ketë votuar në zgjedhjet presidenciale të atjeshme.
Çitaku shkruan se një veprim i tillë është joprofesional dhe jodiplomatik.
”Dy-shtetësia lejohet me Kushtetutë edhe në Kosovë edhe në Francë. Fakti që Ambasadori i Kosovës në Francë ka dyshtetësi, nuk është precedan. Kemi pasur raste të tilla edhe më herët.
Por, kur e pashë në lajme se Ambasadori ynë paska dalë për të votuar në zgjedhjet presidenciale të Frances, e bile bile paska postuar në Facebook, sinqerisht mendova se është ndonjë fake news.
Është jo diplomatike dhe jo profesionale.
Ambasadori ynë në Paris përfaqëson Republikën e Kosovës e jo ndonjë shoqatë kulturore, dhe nuk ka asnjë lloj sensi që në mënyrë selektive t’i ndërrojë kapelat, një ditë qytetar i Francës, ditën tjetër Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Kosovës”.