Pas Osmanit, edhe Kurti flet për takimin me zyrtarët amerikanë - përmend Putinin dhe luftën në Ukrainë

Aktuale

Pas Osmanit, edhe Kurti flet për takimin me zyrtarët amerikanë - përmend Putinin dhe luftën në Ukrainë

Më: 25 prill 2022 Në ora: 18:14 Përditësuar në ora: 20:13 më 25.04.2022
Kryeministri Albin Kurti

Kërkesa e Donfried: Kosova dhe Serbia urgjent të riangazhohen për dialogun

Ndihëmssekretarja amerikane për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, u shpreh se është urgjente që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialog.

Sipas saj, ky dialog është mëse i nevojshëm që të sjell marrëveshjen me njohje të ndërsjellë mes pales serbe dhe kosovare, meqë kjo është mënyra e vetme që t’i përgjigjen Kremlinit për tendencat për destabilizim të rajonit.

”Lufta brutale e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës, është thirrje për të gjithë ne, përkundër përparimit të madh të SHBA-së, Kosovës dhe shteteve që kanë bërë, është që kurrë nuk duhet ta marrim paqen apo institucionet tona demokratike për të mirëqenë”.

”SHBA duan që ta shohin Kosovën duke marrë vendin e vet të duhur në institucionet europiane dhe euroatlantike. Për këtë çështje ne i japim kaq shumë prioritet mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja për ta ndihmuar Kosovën që të arrijë në marrëdhënie të normalizuara, të qëndruara, me njohje të dyanshme me fqinjin tuaj Serbinë. Sepse status quo është e paqëndrueshme, jo vetëm që e pengon të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë drejt Europës, por i bën të mira Kremlinit. Sepse Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet, dhe konsolidim demokratik në shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe shtetet fqinje të mos integroheni në institucionet europiane dhe euroatlantike”.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Kurti ‘godet’ Serbinë : Shtetet demokratike të Ballkanit që i kanë vënë sanksione Rusisë të hyjnë në BE e NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit në Prishtinë me zyrtarët e lartë amerikanë. Ai tha se me delegacionin amerikan të udhëhequr nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried biseduan për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendve.

I pari i ekzekutivit tha se Kosova do të jetë gjithmonë krah SHBA’së derisa kërkoi integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Kurti kujtoi se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, veprim ky i cili sipas Kurtit s’duhet mirëkuptuar.

“Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thelle në mes të dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Kurti.

“Dje u bënë dy muaj prej që kur nisi invazioni dhe agresioni i pa provokuar dhe pa justifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës.  Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhnin, po zgjat shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas,  ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Putinit despotik”, shtoi ai.

“Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me SHBA me BE dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Përveç sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase e do të mirëpresim edhe të tjerë”, shtoi ai.

Kurti ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin Europian dhe të ndihmohet rruga e saj drejt NATO’s.

“Po jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për tu distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë, vlerë orientim e Aleanë. Vlerë anti-demokratike. Orientim joperëndimor dhe aleancë autokratësh. Andaj që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm, është i domosdoshëm integrimi i sa më shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe  NATO, i shteteve që janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse.Kosova duhet të anëtarësohet në këshillin e Europës dhe të bëhemi pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO’s”, tha Kryeministri.

Kurti flet pas takimit: Për ShBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që është me rëndësi për Kosovën, që të vazhdojë bashkëpunimin me ShBA-të sidomos në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe të sigurisë.

Kurti ka folur në një konferencë për media pas takimit me ndihmës sekretaren e ShBA-së, Karen Donfried, ku theksoi që për ShBA-të, Kosova do të mbetet aleat dhe partner i besueshëm.

“Është gjithmonë kënaqësi të mirëpres dhe të takohem, e të diskutoj me përfaqësues të institucioneve të SHBA-ve. Javën e kaluar patëm për vizitë një delegacion dypartiak nga senati amerikan me të cilët diskutuam për shumë gjëra. Edhe sot, folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin e kontributin e madh që SHBA-të vazhdojnë ta japin, në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë”.

“Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë mes dy vendeve tona sidomos në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe të sigurisë. Për ShBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm që nuk pyet pse, por si dhe jo sa, por kur”, tha ai.

Nis takimi i kryeministrit Kurti me zyrtarët amerikanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në zyrën e tij në Qeveri, zyrtarët e lartë amerikanë, Karen Donfried si dhe Gabriel Escobarin.

Takimi mes tyre veçse ka nisur, dhe pamjet e mëposhtme tregojnë për një atmosferë të mirë mes palës kosovare dhe asaj amerikane.

Mesazhi i fuqishëm i Donfried: Urgjente të punojmë që Kosova të sigurojë vendin e duhur në institucionet euroatlantike

Ndihmëssekretarja amerikane për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka thënë se gjendet në Kosovë në një moment përcaktues në veçanti për Ballkanin Perëndimor, kjo në kohën kur Ukraina është në luftë nga agresioni rus.

Ajo dha mesazh të fuqishëm në adresimin e saj të sotëm se pikërisht në këtë periudhë, është urgjente të punohet që Kosova ta sigurojë vendin e saj në institucionet europiane dhe euroatlantike, duke përmendur kështu edhe marrëveshjen finale me Serbinë me njohje reciproke.

”Siç e dini jam këtu, në një kohë sfiduese, në një moment përcaktues për Europën, e në veçanti për Ballkanin Perëndimor. Lufta e pajustifikuar dhe brutale në Rusi, na ka treguar sa e rëndësishme dhe urgjente është që të punojmë për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë reformat e domosdoshme për konsolidimin demokratik dhe integrimin e tyre në institucionet europiane dhe euroatlantike”.

”Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të mirren si e mirëqenë. Të gjithë ne duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar nevojën e qytetarëve tanë. Kjo do të thotë avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova e merr vendin e duhur në institucionet e saj europiane dhe euroatlantike përfshirë përmes marrëveshjes për normalziimin e marrëdhënivee me Serbinë që përqëndrohet në njohjen e ndërsjellë”.

Presidentja Osmani: ShBA-të nuk kanë aleat më të madh në rajon se Kosova

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani,  pas takimit  me ndihmës-sekretaren e Shtetit Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen E. Donfried, ka thënë se  ShBA-të nuk kanë aleatë më të madh se Kosova në rajon.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleatë më të madh se Kosovën në të gjithë rajonin dhe më gjerë. Ne e kemi treguar angazhimin tonë proaktiv për të mbështetur ShBA-të sipas mundësive tona, siç ishte pritja e refugjatëve afganë, angazhimi për të pritur refugjatë ukrainas. Angazhimi për ruajtjen e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në rajon, apo edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë plotësisht në përputhje me aleatët tanë”.

Ajo theksoi se vendi ynë është një vend i vogël por duke punuar me parterët si Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ketë ndikim të madh.

“Ne edhe mund të jemi vend i vogël por kam besim se duke punuar me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne edhe mund të kemi impakt të madh”.

Presidentja Osmani jep detaje nga takimi me zyrtarët amerikanë

Presidentja Vjosa Osmani doli në konferencë për media meNdihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried pas takimit me delegacionin amerikan në Presidencë.

Osmani tha se në takim i diskutua edhe urgjenca e dialogut me Serbinë.

“Natyrisht që ne sot gjithashtu diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqëndruar në njohjen reciproke”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se në takim ka thënë se Kosova është e përkushtuar në këtë proces.

“E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili e ka në qendër njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundmisht qytetarët”, tha ajo.

Përfundon takimi i presidentes Osmani me zyrtarët e lartë amerikanë

Tashmë ka përfunduar takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, Karen Donfried dhe Gabriel Escobar.

Ky takim u mbajt në zyrën e Presdencës së Kosovës, ndërsa tani në po këto hapësira po mbahet dhe një adresim për media nga presidentja Vjosa Osmani dhe ndihmëssekretarja Karen Donfried lidhur me mbarëvajtjen e këtij takimi.

 

Pamje/ Nis takimi i presidentes Osmani me zyrtarët e lartë amerikanë, Donfried dhe Escobar

Nndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe Gabriel Escobar, emisar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, kanë mbërritur në Kosovë.

Dyshja amerikane takimin e parë e kanë me Presidenten Vjosa Osmani, i cili ka nisur para pak minutash.

Pas përfundimit të takimit me Presidenten, Escobar dhe Donfried do të takohen me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Pamjet të cilat janë publikuar tregojnë atmosferën e këtij takimi, në të cilin shihen edhe pjesëmarrës të tjerë edhe nga kabineti i Presidencës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat