Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që është me rëndësi për Kosovën, që të vazhdojë bashkëpunimin me ShBA-të sidomos në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe të sigurisë.
Kurti ka folur në një konferencë për media pas takimit me ndihmës sekretaren e ShBA-së, Karen Donfried, ku theksoi që për ShBA-të, Kosova do të mbetet aleat dhe partner i besueshëm.
“Është gjithmonë kënaqësi të mirëpres dhe të takohem, e të diskutoj me përfaqësues të institucioneve të SHBA-ve. Javën e kaluar patëm për vizitë një delegacion dypartiak nga senati amerikan me të cilët diskutuam për shumë gjëra. Edhe sot, folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin e kontributin e madh që SHBA-të vazhdojnë ta japin, në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë”.
“Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë mes dy vendeve tona sidomos në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe të sigurisë. Për ShBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm që nuk pyet pse, por si dhe jo sa, por kur”, tha ai.