Ish deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi dhe kryetari i degës së tretë të LDK-së, Hazir Borovci i kanë dalë në mbrojtje Salih Mustafës, i cili po akuzohet nga Gjykata Speciale edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.
Të dy këta ishin dëshmitar mbrojtjes të komandant Calit, në gjykimin në Hagë.
E Ibishit dhe Borovcit, i është bashkuar edhe ish Ministri i Jashtëm nga LDK-së, Skënder Hyseni.
Hyseni është shprehur se po ta dinte që Gjykata Speciale do të rrëshqiste deri këtu, atëherë ai nuk do ta votonte për 1 mijë vjet.
E ndaj tre anëtarëve të LDK-së, ka reaguar Fazli Hajdaraj, vëllai i Smajl Hajdarajt, ish-deputetit të LDK-së, i cili u vra pas lufte.
“Korit të “burrave” brenda LDK-së, Hazir Borovcit dhe Nuredin Ibishit ju bashkua edhe Skënder Hyseni! Më vije keq që të mjerët po vuajnë shumë për Komandantët e tyre të cilët akuzohen për ndërmarrje kriminale në Gjykatën Speciale, prandaj po mundohen më mish e shpirt t’i shpëtojnë duke u bërë dëshmitar, por edhe si pendues pse e votuan formimin e saj në Kuvendin e Kosovës!!!”, ka shkruar ndër tjerash Hajdaraj, përcjellë “Bota sot”.
“Për sa kohë LDK-ja do i mbajë brenda, e ardhmja e saj do jetë e keqe. Kryetari i LDK-së zotëri Abdixhiku dhe Kryesia duhet të veprojnë sa më parë!”, shkruan në reagimin e tij Fazli Hajdaraj, vëllai i Smajl Hajdarajt.