Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është përgjigjur për kritikat që mori nga deputeti i VV-së, Fatmir Humolli lidhur me zhvillimin e bujqësisë.
Peci ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7 se nuk e kuptuar atë që Humolli ka dashur të thotë, por e ftuar në takim që t’ia prezantojë atij analizën që e ka bërë ai.
“Po e kam dëgjuar. Cdo kritikë është e mirëseardhur për sa kohë është konstruktive. Unë mendoj se kemi qëllime të përbashkëta për zhvillim të bujqësisë. Por nuk e kam kuptuar se çfarë donte të thoshte ai me krijimin e 1 mijë fshatrave prodhuese. Nëse ka ndonjë analizë ekonomike që ai e ka bërë le të vijë e të ma prezantojë”, tha ai.
Tutje ai shtoi se nuk ka përçarje mes VV dhe Listës Guxo në koalicionin qeverisës.
“Jo. Humolli nëse e dini vet kishte ardhur nga AAK, por kjo nuk do të thtoë se fjala e tij vlen më pak. Përkundrazi. Kemi një koalicion shumë të fortë dhe besoj se deklarata e tij u bë më e madhe se sa që është.”, shtoi ai.
Peci po ashtu foli për krijimin e një grupi parlamentar të Listës Guxo, ku ai tha se kjo do të ndodhte vetëm me mirëkuptim me Lëvizjen Vetëvendosje.